Serbi, seancë në kuvend për dialogun me Kosovën

Serbi, seancë në kuvend për dialogun me Kosovën

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Në seancën e parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Serbisë, diskutohet procesi i negociatave midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se Serbia s’do ta njohë as drejtpërdrejtë e as tërthorazi Kosovën.

“Derisa unë të kem ndikim, Serbia nuk do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi pavarësinë e njëanshme të Kosovës. Unë nuk do të heq dorë nga lufta ime legjitime për interesat shtetërore dhe kombëtare, si dhe për respektimin e së drejtës ndërkombëtare. SHBA-të e pranojnë shtetësinë e Kosovës dhe gjithmonë do të qëndrojnë prapa shqiptarëve. Nuk ka asnjë politikë që mund ta ndryshojë këtë”, tha Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.

Ndaj fjalimit të Vuçiqit i pari reagoi deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin serb, Shaip Kamberi. Ai tha se Kosova është shtet i pavarur dhe se autoritetet në Serbi duhet tua tregojnë realitetin qytetarëve.

“Kosova është e pavarur nga Serbia dhe çfarëdo që dëshironi të arrini atje, duhet ta arrini në marrëveshje me autoritetet lokale dhe kushdo që do të jetë në pushtet atje, Serbia nuk ka asnjë ndikim. Serbët në Republikën e Kosovës kanë të drejta të shumta të garantuara me Kushtetutë në përfaqësim parlamentar dhe pushtet ekzekutiv, ndërsa shqiptarët dhe pakicat tjera në Serbi jo”, u shpreh Shaip Kamberi, Deputet në parlamentin e Serbisë.

Seancën për Kosovën e kërkuan grupet e caktuara opozitare në Kuvendin e Serbisë – Dveri, Partia Popullore, koalicioni Shpresa të cilët kërkojnë që negociatat të kalojnë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa Kushtetuesja të vlerësojë ligjshmërinë e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut të Brukselit. Rezoluta e propozuar nga Dveri thotë se askush që mban poste publike, nuk ka të drejtë të nënshkruajë një dokument obligues për pavarësinë e Kosovës. Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i tyre në terren ka ngecur. Procesi duhet të rezultojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Kosova këmbëngul që kjo marrëveshje të përfshijë njohjen e ndërsjellë; Serbia, tash për tash, nuk pranon./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button