Ulen në tavolinë dhe nuk konsumojnë asgjë, lokali “gjobit” klientët që nuk porosisin

Ulen në tavolinë dhe nuk konsumojnë asgjë, lokali “gjobit” klientët që nuk porosisin

“Jo, nuk do të marr gjë”. Të ulesh në tavolinë dhe të mos porositësh është diçka që ndodh shpesh, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë.

Por, duket se një lokal e ka gjetur zgjidhjen për “klientët që e kanë pirë kafen” më parë. Taverna La Solía ​​de Liaño, në Spanjë, ka vendosur që të tarifojë me 1,5 euro të gjithë klientët që ulen në tavolinë dhe nuk konsumojnë. Kjo ide ka lindur sidomos për grupet që ulen në tavolinë dhe jo të gjithë porosisin.

Pronari i lokalit, Óscar Solana, shprehet: “Industria ka ndryshuar pas COVID. Ne kemi nevojë që njerëzit të konsumojnë. Inflacioni po ndikon shumë tek puna jonë. Ne nuk jemi qendra sociale e qytetit. Ne kërkojmë vetëm pak respekt”.

“Nëse grupi është i madh, duhet të bashkojmë dy tavolina. Nëse do të konsumonin vetëm 4 nga 6, do t’i kishim vendosur në një tavolinë për katër persona. Njerëzit duhet të kuptojnë se ky është një biznes dhe se ne kemi nevojë që ai të jetë fitimprurës. Përndryshe, do të ishte e pamundur”, shton pronari i lokalit.

Ai ka saktësuar se një nga arsyet e vendimit për të tarifuar me 1,5 euro personin që nuk porosit është se “ka pasur raste kur praktikisht 23% e vendeve në lokal nuk kanë konsumuar”.

Gjithsesi, Óscar Solana thekson se në shumicën e rasteve, “gjoba” nuk është mbledhur, pasi klienti e ka mirëkuptuar dhe ka porositur një kafe./A2news.com

LEXO EDHE:

Back to top button