Ultrasit e Interit: Shkrinari nuk preket!

Ai që dukej si një nënshkrim i afërt po bëhet jashtëzakonisht i ndërlikuar për PSZH-në. Milan Shkriniar, qendërmbrojtësi 27-vjeçar i Interit, është ende shumë larg të bërit lojtari i ri për parizienët.
Sipas informacioneve të “L’Équipe”, mospërputhjet në para mes dy klubeve janë të konsiderueshme dhe negociatat nuk kanë avancuar ditët e fundit. Kur kanë mbetur 17 ditë para debutimit në Ligue 1 kundër Klermont, koha ka filluar të ecë kundër PSG. Kampioni aktual i Ligue 1 ka sjellë Vitinja-n dhe Ekitike-n, por vetëm portugezi ka mundur të udhëtojë në turneun e Japonisë. Ish-lojtari i Reims nuk mori përfundimisht vizë, që do ta lejonte t’i bashkohej pjesës tjetër të ekspeditës pariziene në tokën japoneze.
Sa i përket Skriniar, dosja është e ndërlikuar për çështje parash, pikë së pari. Interi kërkon nga 60 deri në 70 milionë euro për sllovakun, ndërsa Luis Kampos, i vetëdijshëm se ky çmim mund ta vërë klubin në vështirësi të “fair-play financiar”, nuk i kalon 50 milionët.
Tashmë, zikaltrit duket se nuk e kanë luksin ta lëshojnë sllovakun, pasi dështuan të blinin zëvendësuesin e tij. Sikurse dihet, Bremer i Torinos ishte në radarët e Bepe Marota, por braziliani pranoi së fundi ofertën e majme të Juventusit, që për të dhe klubin e “granatave” ishte ndjeshëm më e madhe se e Interit.
Kësisoji, po mendohet t’i ofrohet rinovimi Shkriniar, në pamundësi për ta kompensuar me dikë tjetër dinjitoz në prapavijën e Simone Inzaghit.
“Marrëveshje të qarta, miqësi e gjatë… Skriniar nuk preket!”
Kështu shkruhet në banderolën që shfaqej poshtë selisë së Interit me firmën e CN69 (Curva Nord).