“Uria në Gaza, krim lufte”/ Gjykata e lartë e Kombeve të Bashkuara, urdhër Izraelit: Hapni vendkalime tokësore për ndihmat

“Uria në Gaza, krim lufte”/ Gjykata e lartë e Kombeve të Bashkuara, urdhër Izraelit: Hapni vendkalime tokësore për ndihmat

Uria në Gaza mund të përbëjë krim lufte, deklaroi më herët për BBC komisioneri i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Türk.

Zyrtari i lartë nënvizoi se faji më i madh për krizën në territor rëndon mbi Izraelin dhe ka shumë gjasa sipas tij, që shteti hebre po e përdor urinë në enklavë si armë lufte. Nëse një qëllim i tillë vërtetohet, atëherë ky theksoi Turk mund të përbëjë një krim lufte.

Pak pas kësaj, Gjykata e lartë e Kombeve të Bashkuara e urdhëroi Izraelin të marrë masa për të përmirësuar situatën humanitare në Gazën e gjunjëzuar nga konflikti, duke përfshirë hapjen e më shumë vendkalimeve tokësore për të lejuar furnizimet me ushqim, ujë, karburante dhe pajisje mjekësore të hyjnë në enklavën e shkatërruar nga lufta. Gjykata lëshoi dy masa të reja të përkohshme, në një çështje të ngritur nga Afrika e Jugut, e cila e akuzon Izraelin për akte gjenocidi në fushatën e tij ushtarake të nisur pas sulmeve të 7 tetorit nga Hamasi. Izraeli mohon genocidin dhe e akuzon Afrikën e Jugut se po përpiqet të “dëmtojë të drejtën dhe detyrimin e tij për të mbrojtur qytetarët e vet”.

Urdhri pasoi kërkesat e Afrikës së Jugut për më shumë masa të përkohshme, përfshirë një armëpushim, për shkak të urisë në Gaza. Izraeli, i cili i kishte kërkuar gjykatës të mos lëshonte urdhra të rinj, tha se nuk vendos kufizime për ndihmën që hyn në Gaza dhe u zotua për “nisma të reja” për të lejuar më shumë ndihma në territor duke përfshirë ushqimin, ujin, karburantin dhe furnizimet mjekësore.

LEXO EDHE:

Back to top button