Ushqimet që duhet të hani rregullisht kundër kolesterolit të keq
Nivelet e ngritura të kolesterolit ndikojnë negativisht në shëndetin e zemrës dhe rrisin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare

Ka shumë faktorë që ndikojnë në nivelin e kolesterolit dhe dieta është sigurisht një prej tyre.
Përfshirja e ushqimeve të shëndetshme në dietën e përditshme luan një rol kyç dhe marrja e rregullt e këtyre ushqimeve mund të kontribuojë në uljen e kolesterolit të keq (LDL).
Bishtajoret
Bishtajoret, të tilla si thjerrëzat, luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e niveleve të shëndetshme të kolesterolit. Ato përmbajnë fibra të tretshme që menaxhojnë kolesterolin duke u lidhur me grimcat e kolesterolit në sistemin tretës dhe duke i larguar ato nga trupi para se të fillojnë të qarkullojnë në gjak.
Kërpudha
Kërpudhat përmbajnë një përzierje përbërësish të fuqishëm si beta-glukani dhe kitina, të cilat ndihmojnë në uljen e kolesterolit të keq, ndërsa potencialisht rrisin kolesterolin e mirë. Sipas një meta-analize të publikuar në American Journal of Medicine, pas vlerësimit të shtatë studimeve, rezultatet treguan se konsumi i kërpudhave mund të ketë efekte të dobishme në nivelet e kolesterolit HDL dhe LDL, raporton Eat This, Not That.
Peshku i yndyrshëm
Peshqit yndyrorë, si sardelet dhe skumbri, mund të kenë veti të uljes së kolesterolit, sepse përmbajnë një lloj të veçantë të omega-3 EPA (acidi eicosapentaenoic) dhe DHA (acidi docosahexaenoic).
Elbi
Elbi është një burim i mirë i fibrave dietike, vitaminave dhe mineraleve, veçanërisht i dobishëm për shëndetin e zemrës, tretjen dhe mbajtjen e një diete të ekuilibruar.
Boronica
Boronicat njihen si një frut që ul kolesterolin falë përmbajtjes së lartë të fibrave të tretshme dhe antioksidantëve. Fibra e tretshme në boronica ndihmon në uljen e sasisë së kolesterolit LDL në qarkullimin e gjakut. Gjithashtu, antioksidantët në boronica, të tilla si anthocyanina, parandalojnë oksidimin dhe akumulimin e kolesterolit në muret e arterieve.