Ushtria amerikane njoftoi se ka kryer sulme kundër shënjestrave në Iran
Ushtra amerikanë njoftoi se “Forcat e Komandës Qendrore (CENTCOM)” kanë kryer sulme kundër Iranit si përgjigje e fuqishme ndaj sulmit të djeshëm mbi një anije tregtare që po kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Në një deklaratë, Komanda Qendrore e SHBA-së tha se avionët amerikanë goditën vendet e magazinimit të raketave dhe dronëve iranianë, si dhe vendet e radarëve bregdetarë.1]
“Anija mallrash me flamur të Singaporit po dilte nga Ngushtica e Hormuzit përgjatë bregdetit të Omanit në kohën e sulmit të Iranit. Sjellja e rrezikshme e Iranit minoi lirinë e lundrimit, ndërsa tregtia rrjedh gjithnjë e më shumë përmes korridorit jetësor të tregtisë ndërkombëtare”, tha CENTCOM, duke shtuar se forcat iraniane kishin “shkelur qartë” marrëveshjen e armëpushimit. “Forcat e CENTCOM vazhdojnë të ofrojnë koordinim dhe mbështetje për kalimin e sigurt të anijeve tregtare që kalojnë nëpër ngushticë”, thuhet më tej.
Sulmet ndodhën pak pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u tha gazetarëve: “Do ta zbuloni”, kur u pyet nëse SHBA-ja do t’i përgjigjej sulmeve.
Pyetja e gazetares: “z. President, ju thatë se Irani shkeli armëpushimin”
“Po, e bënë”, tha Donald Trump, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pyetja e gazetares: “A do të përballen me pasoja?”
Epo, do ta zbuloni”, theksoi Donald Trump, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pyetja e gazetares: “A e konsideroni armëpushimin ende në fuqi?”
“Nuk më pëlqen fakti që ata qëlluan dje. Në fakt, katër. Ne rrëzuam tre. Në një anije. Jo një anije aleate, por një anije, një anije shumë të shtrenjtë. Dhe ishte mirë, por u desh pak përplasje. Ata nuk duhet ta bënin këtë. Pra, do ta zbuloni. Dua të them, do ta zbuloni”, thotë Donald Trump, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një postim në rrjetet sociale para se të njoftohej për sulmet, Trump shkroi se Irani kishte lëshuar katër dronë kundër anijeve tregtare në ngushticë.
“Njëri prej dronëve goditi drejtpërdrejt kuvertën e sipërme të një anijeje të madhe dhe shumë të shtrenjtë transporti mallrash. U shkaktuan dëme, por anija ishte në gjendje të vazhdonte rrugën e saj. Ne rrëzuam tre dronët e tjerë” shkroi Trump.
Irani dhe SHBA-ja pritet të rifillojnë negociatat teknike në Zvicër pas nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi i cili synon t’i japë fund luftës në Iran dhe në gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë Libanin. Armëpushimi vazhdon të jetë i brishtë, ndërsa të gjitha palët po e akuzojnë njëra-tjetrën për shkeljen e tij.
Ngushtica e Hormuzit ishte bllokuar më herët nga Irani, por ishte rihapur rishtazi pasi Teherani dhe Uashingtoni po përpiqen ta negociojnë një marrëveshje përfundimtare paqeje. Ministria e Jashtme e Iranit paralajmëroi se kalimi i sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit nuk mund të garantohet pa koordinim me Teheranin. Liria e lundrimit nëpër ngushticë është bërë një nga çështjet qendrore në përpjekjet për të siguruar një marrëveshje afatgjatë mes SHBA-së dhe Iranit, pasi Teherani e mbylli këtë rrugë ujore pas sulmeve ajrore amerikano-izraelite më herët gjatë këtij viti.
Para luftës, rreth 20 për qind e furnizimit botëror me naftë dhe gaz kalonte përmes kësaj ngushtice./Alsat.mk.








