Ushtria e Izraelit ka shprehur gatishmëri për evakuimin e foshnjave nga spitali i Gazës

Ushtria e Izraelit ka shprehur gatishmëri për evakuimin e foshnjave nga spitali i Gazës

Ushtria e Izraelit tha se është e gatshme për t’i evakuuar foshnjat nga spitali më i madh dhe kryesor i Rripit të Gazës, ku zyrtarët palestinezë thanë se dy foshnje të porsalindura vdiqën dhe dhjetëra të tjera janë në rrezik, pas harxhimit të karburantit.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Daniel Hagari tha se ekziston një korridor i sigurt përmes të cilit mund të evakuohen civilët nga spitali Shifa për në jug të Gazës.

“Ne jemi në kontakt të drejtpërdrejt dhe të vazhdueshëm me stafin e spitalit. Stafi i Shifas ka kërkuar që ne të ndihmojnë në dërgimin e foshnjave në një spital më të sigurt, ne do ta ofrojmë ndihmën e nevojshme”, tha Daniel Hagari, zëdhënës i forcave izraelite.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e udhëhequr nga grupi radikal Hamasi, i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, thotë se në Shifa janë ende 1.500 pacientë, bashkë me një staf mjekësor prej 1.500 vetash, si dhe me rreth 15.000 deri në 20.000 njerëz të strehuar. Ndërkohë autoritetet kufitare të Gazës thanë se pikëkalimi Rafah për në Egjipt do të mbetet i hapur për njerëzit me pasaporta të huaja, teksa situata humanitare po përkeqësohet.

Jordania, nga ana tjetër hodhi nga ajri ndihma në një spital fushor në këtë enklavë.  Izraeli tha se ende po hidhen raketa nga Gaza në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen më shumë se 240 të tjerë nga Hamasi muajin e kaluar, sipas tij. Ministria e Gazës thotë se numri i të vrarëve nga bombardimet hakmarrëse izraelite ka shkuar në mbi 11.000, prej të cilët rreth 40 për qind fëmijë./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button