Ushtria izraelite merr nën kontroll kufirin në Rafah

Ushtria izraelite merr nën kontroll kufirin në Rafah

Gazetare: Xhesika Sallahi

Edhe pse Hamas pranoi propozimin e armëpushimit, ushtria izraelite ka vazhduar operacionin e saj ushtarak, duke marrë kontrollin e kufirit në Rafah. Sipas Izraelit, marrëveshja e armëpushimit nuk i përmbush “kërkesat thelbësore” të saj, megjithatë, tha se do të vazhdojë negociatat për të arritur një marrëveshje. Pikëkalimi kufitar, Rafah është pjesa jetike për hyrjen e ndihmave humanitare dhe daljen e njerëzve të plagosur nga Gaza. Me nisjen e operacionit tokësor dhe ajror, ushtria izraelite, goditi disa zona në Rafah gjatë natës, duke vrarë rreth 20 palestinezë dhe duke plagosur disa të tjerë. Reagime të shumta kanë ardhur nga ndërkombëtarët të cilët vazhdimisht kanë bërë thirrje për mos nisje të një operacioni në Rafah. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Zhozep Borrell, tha se humbjet humanitare do të jenë të larta dhe njerëzit nuk kanë vend të sigurt për t’u evakuuar.

“Hamasi pranoi, Izraeli refuzoi dhe ofensiva tokësore kundër Rafahut ka nisur përsëri, pavarësisht gjithë kërkesës së komunitetit ndërkombëtar, SHBA-së, vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të gjithë duke i kërkuar Netanjahut të mos sulmojë Rafahun. Pavarësisht këtyre paralajmërimeve, një sulm ka nisur. Nuk mund të parashikoj humbjet humanitare që kjo do të krijojë. Le të shohim se si mund të përpiqemi të pakësojmë pasojat e kësaj situate. Çfarë po ndodh në Gaza herët a vonë, Gjykata Penale Ndërkombëtare do të duhet të thotë diçka. Dhe meqë ra fjala, dënoj plotësisht çdo lloj frikësimi ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare”, deklaroi Josep Borrell, përfaqësues i lartë i BE-së.

Grupet e ndihmës paralajmërojnë se një ofensivë e plotë ndaj Rafahut do të jetë shkatërrimtare për rreth 1,4 milionë palestinezë që do të strehohen atje. Izraelitët lëshuan fletëpalosje, mesazhe telefonike dhe transmetime radiofonike që urdhëronin palestinezët të evakuonin lagjet lindore të Rafahut. Rreth 450,000 palestinezë të zhvendosur tashmë janë strehuar në Muasi, një zonë humanitare me tenda, ushqime dhe ujë, sipas Izraelit. /

LEXO EDHE:

Back to top button