”Vagner” ka mbetur pa ”kokë” dhe tani paralajmëron hakmarrje
”Vagner” ka mbetur pa ”kokë" dhe tani paralajmëron hakmarrje

Gazetar: Luka Andreev
Sipas mediave ruse, hetimi fokusohet në mjetin shpërthyes të vendosur në avion. Sipas shërbimeve britanike të inteligjencës, agjencia vendase ruse e inteligjencës dhe sigurisë FSB, e cila është besnike ndaj Presidentit rus Vlladimir Putin, ka shumë të ngjarë që të qëndrojë pas rrëzimit të aeroplanit të Prigozhinit. Për një kohë të gjatë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ka pasur përplasje mes Putinit dhe Prigozhinit. Kreu i ushtrisë private akuzoi për vrasje të panevojshme të ushtarëve në territorin ukrainas, domethënë për hapa të gabuar dhe vlerësime të këqija të mbrojtjes ruse. Në qershor, Prigozhin madje nisi grusht shteti ushtarak dhe u nis për të pushtuar Kremlinin, por në të njëjtën ditë ai u tërhoq dhe u nis për në Bjellorusi pasi presidenti Lukashenko veproi si ndërmjetës për t’i ndaluar tensionet. Tashmë, pasi vdekja e tij, si dhe vdekja e disa personave të tjerë kryesorë të Vagner-it është konfirmuar zyrtarisht, anëtarët e këtij formacioni kanë kërcënuar me hakmarrje.
“Shumë flasin se çfarë do të bëjë Vagner në këtë situatë. Ne do të themi vetëm një gjë – po nisemi. Na prisni,” thanë Ushtarët e Vagnerit.
Prigozhin kishte shumë ndjekës në Shën Petersburg, i cili ishte edhe destinacioni i fundit i fluturimit fatal nga Moska. Aty sot u vendosen lule nga shokët e tij, të cilët i bëjnë thirrje qeverisë të dalë me informacion zyrtar.
“Ai ishte si baba për ne. Ai ishte gjithçka për ne dhe ne të gjithë prisnim të dëgjonim atë që ai kishte për të thënë”, tha një ushtar i Vagnerit.
Veçanërisht për botën perëndimore, vdekja e Prigozhinit nuk është befasi pasi ai u përplas me Putinin dhe ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu. Megjithatë, presidenti amerikan Xho Bajden thotë se nuk mund të thuhet me siguri se kush qëndron prapa, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë kreu i shtetit rus.
“Tashmë më kanë pyetur një herë dhe jam përgjigjur se do të kisha kujdes se çfarë pi po të isha në vend të Prigozhin. Nuk kam detaje konkrete se çfarë ka ndodhur, por nuk jam i befasuar. Nuk po ndodh diçka e madhe në Rusi pas çka qëndron Putini. Por nuk di mjaftueshëm për të qenë në gjendje t’i përgjigjem kësaj,” deklaroi Xho Bajden – President i Shteteve të Bashkuara.
Nga ana tjetër, autoritetet franceze thanë se ka dyshime të arsyeshme se kush mund të qëndrojë pas rrëzimit të avionit, por nuk po zbulojnë më shumë. Ata thanë vetëm se Prigozhin konsiderohej njeri që bëri punën e pistë të Putinit dhe la pas varreza masive në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe në mbarë Afrikën. /alsat.mk