Vaksina kundër Covid-19, Ambasada e Rusisë reagon ndaj Ramës : Vështirë të kuptohet pse u mërzit kaq shumë

Ambasada e Rusisë në Shqipëri ka reaguar ndaj komentit të një dite më parë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili e quajti provokim postimin e ambasadës në lidhje me vaksinën ruse.

Në reagim, ambasada shkruan se vullneti i mirë i Rusisë, i shprehur publikisht, është interpretuar si veprim provokues dhe kjo, sipas tyre, është e pakuptueshme.

“Na vjen keq që vullneti i mirë i Rusisë, i shprehur publikisht, interpretohet si veprime provokuese. Për t’u bindur që nuk është kështu, mjafton të njiheni me tekstin e komentit.

Është e vështirë të kuptohet pse Kryeministri i nderuar i Shqipërisë z. Edi Rama u mërzit kaq shumë nga komenti i Ambasadës së Rusisë në faqen e saj në Facebook, më 28 dhjetor të këtij viti.

Ambasada vetëm reagoi ndaj re-twitit të Drejtorit të Komunikimit të Kryeministrit, z. E. Fuga, në lidhje me fillimin e vaksinimit kundër Covid-19 në vendet anëtare të BE-së dhe deklaratës e vetë të kreut të Qeverisë së Shqipërisë në konferencën e tij për shtyp në 24 dhjetor, gjatë së cilës ai përmendi vështirësitë në sigurimin sa më shpejt të jetë e mundur e sasisë së nevojshme të vaksinave për popullatën e vendit.

Në komentin e Ambasadës bëhej fjalë për gatishmërinë e institucionit rus të autorizuar – Fondit të Investimeve Direkte – për të shqyrtuar aplikimet nga çdo vend i interesuar për blerjen e vaksinës ruse kundër koronavirusit, përfshirë Shqipërinë. Në Rusi nuk ka dyshime se bashkimi i përpjekjeve të të gjitha shteteve, që kanë kryer kërkime shkencore dhe kanë teknologjitë përkatëse, do të ndihmojë njerëzimin të kapërcejë këtë fatkeqësi dhe të kthejë qytetërimin në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm. Në të njëjtën kohë, Moska nuk u vë asnjë kusht partnerëve potencialë.

Na vjen keq që vullneti i mirë i Rusisë, i shprehur publikisht, interpretohet si veprime provokuese. Për t’u bindur që nuk është kështu, mjafton të njiheni me tekstin e komentit”, mbyllet reagimi i ambasadës.

LEXO EDHE:

Back to top button