Varheji dhe Silva, vizitojnë Sofjen dhe Shkupin

Misioni i Komisionerit të BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi dhe kryediplomatit portugez, Silva për zhbllokimin e çeljes së negociatave për Maqedoninë e Veriut hasi në pengesën e parë në Sofje.

Dokumenti në të cilin mediat bullgare pretendojnë që kanë qasje, parasheh që Shkupi të pranojë se gjuha maqedonase është kodifikuar në vitin 1945, pa kërkesën bullgare rreth prejardhjes së gjuhës maqedonase. Ndërsa çështja e përdorimit të emrit të shkurtër dhe të plotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut parashikohet të zgjidhet përmes deklaratave njëpalëshe. Ndërsa është i paqartë rekomandimi për angazhimin e ekspertëve të huaj në komisionin dypalësh të historisë.

Mediat në Sofje raportojnë gjithashtu se ky propozim është i papranueshëm për palën bullgare dhe se bëhet fjalë për presion ndaj Sofjes me versionin e ri të propozimit të vjetër të Berlinit, që vitin e kaluar Sofja e kishte refuzuar. Sipas BGNES, ideja është që kontesti dypalësh mes Shkupit e Sofjes të mos zgjidhet përmes kornizës negociuese për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE, por përmes Procesit të Stabilizim Asociimit.

 Pas takimit me Silvan e Varhelyn, kryediplomati teknik bullgar, Svetllan Stoev tha se pozicioni i Sofjes nuk do të ndryshojë dhe se garancitë që Shkupi do ta zbatojë marrëveshjen dypalëshe të vitit 2017 mbeten kyçe.

Jemi të hapur për dialog aktiv dhe të hapur me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe presim që fqinjët tanë të punojnë në frymën e sinqeritetit dhe konstruktivitetit”- deklaroi SINKRON – Svetllan Stoev, Ministër i Jashtëm i Bullgarisë.

Varheji dhe Silva theksuan se konsultimet në Sofje ishin të rëndësishme për procesin e zgjerimit.

Është e rëndësishme të dëgjojmë shtete të rëndësishme anëtare si Bullgaria rreth temës së zgjerimit. Jemi këtu për t’i dizajnuar bashkërisht me Bullgarinë hapat e radhës”- pohoi Oliver Varheji, Komisioneri i BE-së për Zgjerim.

 Ishte kyçe të dëgjonim propozimet dhe shqetësimet e Bullgarisë. E bëmë këtë përmes kanaleve të përshtatshme diplomatike. Puna më e madhe tashmë ishte kryer. Andaj ishte koha për takim sy më sy, konsultim politik këtu në Sofje që do të jenë kyçe për procesin në vijim”- tha Augusto Santos Silva, Ministër i Jashtëm i Portugalisë

Bullgaria deri tani e ka kushtëzuar kornizën negociuese me kërkesën që Shkupi të pranojë se gjuha maqedonase ka prejardhje bullgare si dhe me pranimin e historisë së përbashkët.p

Anesa SaliHu

LEXO EDHE:

Back to top button