Ai theksoi se ditën e djeshme është rrezikuar dhe cenuar siguria kombëtare.
“Dje jo vetëm që janë rrezikuar, por edhe janë cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare. Sot, përpara se Afrim Bunjaku të varroset si një hero, portreti dhe profili i Afrimit le të skalitet në kujtesën tonë fotografike dhe në mbamedjen tonë kolektive, si fytyra e një heroi dhe si vepra e një dëshmori. Afër Afrimi, larg krimi”, shtoi ai.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se heroi Afrim Bunjaku ra heroikisht ditën e djeshme sikur paraardhësit e tij, duke e mbrojtur Kosovën.
“Dita e 24 shtatorit do të shënohet në historinë e Kosovës, sikur dita kur Afrim Bunjaku ra dëshmor dhe u bë heroi i Kosovës për ta ngritur shtetin tonë. Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës si oficer i denjë i republikës në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe të sovranitetit të republikës sonë. Dita e djeshme, ditë e.. për familjen dhe miqtë, për bashkëfshatarët dhe gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës është po ashtu dita kur emri i Afrim Bunjakut u lartësua. Rreshteri Bunjaku dje mbrojti Kosovën me jetën e tij, ndërsa nga sot rënia e tij do të frymëzojë brezat se si mbrohet atdheu. Dita e djeshme ishte një ditë e rëndë për Kosovën dhe për demokracinë dhe për paqen në rajon. Serbia edhe një herë për strukturave terroriste paramilitare e sulmoi shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës”, përfundoi Konjufca.
Sipas tij, Kosova edhe pasluftës po vazhdon që të mbrojë lirinë dhe pavarësinë e vendit me gjakun e dëshmorëve dhe të heronjve. Po ashtu, kryeparlamentari Konjufca u shpreh se dje u dëshmua që Serbia nuk ka ndryshuar dhe mbetet agresore ndaj Kosovës.
Në ceremoninë e varrimit, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se është e vështirë që sot të ndahen nga Afrimi, i cili dha jetën për paqe dhe siguri.
“Rreshter Afrimi dje ra heroikisht në krye të detyrës në veri të Kosovës. Ai u vra në një prit të organizuar nga grupet terroriste dhe kriminale. Rreshteri Afrimi, heroi më i ri i Kosovës dha jetën tij duke mbrojtur rendin kushtetues, sigurinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Sot për ne dhe për ju është një ditë shumë një ditë shumë e vështirë, sepse po ndahemi nga prindi, bashkëshorti, vëllai, miku e kolegu, i cili dha jetën e tij për paqe dhe siguri të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai.
Më herët, Osmani i ka ndarë rreshterit Afrim Bunjaku urdhrin më të lartë të Kosovës, “Hero i Kosovës”.
Rreshteri Afrim Bunjaku ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës nga viti 2001.
Të dielën më 24 shtator në një përleshje me një grup të armatosur të Banjskë të Zveçanit në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe, është vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe disa të tjerë janë plagosur.
Sulmuesit e armatosur, rreth 30 persona, ishin vendosur në manastirin e Banjskës, nga ku shkëmbyen të shtëna me organet e rendit.
Autoritetet konfiskuan edhe një sasi të madhe armatimi. Autoritetet e Kosovës bënë përgjegjës Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi fajësoi zyrtar serbët e Kosovës.


