Vazhdojnë kërkesat për ndryshime në VMRO, Markovska: Nisma për kongres, mision i vështirë


Nisma për një kongres të jashtëzakonshëm në VMRO DPMNE, është një mision i vështirë, por i mundshëm. Ish-deputetja nga kjo parti, Gjulistana Markovska, për Alsat tha se është e rëndësishme si për partinë ashtu edhe për demokracinë në vend, të zhvillohet kongres i jashtëzakonshëm në VMRO- DPMNE. Sipas Markovskës, epilogu i këtij kongresi është i pasigurt, sepse delegatët janë besnikë ndaj Mickoskit dhe janë zgjedhur me pëlqimin e tij. Megjithatë, thekson se Mickoski duhet ta kalojë testin e Kongresit, ku ai ose do të konfirmohet si udhëheqës, ose në mënyrë demokratike, dhe jo me forcë të ndërrohet.

Edhe për të, por edhe për anëtarësinë, veçanërisht për VMRO-DPMNE-në dhe proceset demokratike në Maqedoni, do të jetë jashtëzakonisht e dobishme mbajtja e kongresit. Nëse ai e konfirmon mandatin e tij në Kongres, le ta gëzojë dhe atëherë do të jetë kryetar i padiskutueshëm që e ka kaluar edhe kongresin e rregullt edhe atë të jashtëzakonshëm, pavarësisht nëse bëhet fjalë për zgjedhje të fituara apo të humbura – tha Gjulistana Markovska- ish deputete e VMRO- DPMNE.

Për një javë të tërë, nisma për kongres të jashtëzakonshëm në VMRO-DPMNE kërkon dorëheqjen e kryetarit të partisë, Hristijan Mickoski. Thonë se mbështetja e tyre rritet çdo ditë dhe anëtarët e Komitetit Qendror dhe Ekzekutiv kanë mandat të skaduar.

Jemi në rrugën e duhur për të mbledhur numrin e nevojshëm të delegatëve që të thirret kongresi. Çdo ditë që kalon, bëhet e qartë se kryetari aktual nuk do të mund t’u shmanget përgjegjësive dhe do të ketë kongres të jashtëzakonshëm. Anëtarësia dhe opinioni e shohin se nga ana tjetër nuk ka asnjë argument të vetëm në mbrojtje të politikave që i përfaqëson Mickoski – thonë nga Nisma për ndryshime në VMRO-DPMNE.

Pas humbjes në zgjedhjet e mbajtura më 15 korrik, VMRO-DPMNE ndryshoi statutin e partisë. Kohët e fundit, gjysma e anëtarëve të Komitetit Qendror të partisë mund të kërkojnë kongres të jashtëzakonshëm, por vendimi do të duhet të miratohet nga dy e treta e anëtarëve të Komitetit Qendror. Sipas statutit të VMRO- DPMNE-së, në një kongres të jashtëzakonshëm votohet për besimin e kryetarit të partisë, për të përfunduar mandatin e tij para kohe, si dhe për ndryshimin e qëllimeve të partisë. Mickoski është lider i VMRO-DPMNE-së tashmë për të tretin vit me radhë. Mandati i tij zgjat deri në fund të vitit të ardhshëm, por ai mund të rizgjidhet lider i partisë edhe dy herë me radhë.

Igor Stefanovski

LEXO EDHE:

Back to top button