Vazhdojnë përplasjet e partive për “propozimin francez”

Vazhdojnë përplasjet e partive për “propozimin francez”

Gazetar: Mefail Ismaili

Vazhdojnë përplasjet e partive për “propozimin francez”. VMRO DPMNE-ja këmbëngul se propozimi është i dëmshëm dhe cenon gjuhën dhe historinë. Sipas deputetit Dragan Kovaçki pushteti gënjen edhe për hapjen e negociatave, të cilat do të mbeten sipas tij të kushtëzuara nga ndryshimet kushtetuese, respektivisht përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e vendit.

“Qeveria e Kovaçevskit gënjen sepse me këtë propozim po i bëjnë dëm të përhershëm interesave kombëtare dhe shtetërore maqedonase, të cilat çojnë ose në negociata të përjetshme ose në asimilim, ndryshim të librave, ndryshim të teksteve historike për personalitetet dhe ngjarje nga historia maqedonase si dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë në çështjet e identitetit”, deklaroi Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.

Edhe nga partia e “Majta” vlerësojnë se protokolli përmban të gjitha elementet për mes të cilave Bullgaria do ta rishikojë historinë, tekstet shkollore dhe gjuhën maqedonase.

LSDM-ja hedh poshtë akuzat e opozitës. Sipas saj propozimi francez nuk cenon aspak gjuhën dhe identitetin maqedonas. Nga partia maqedonase në pushtet thonë se VMRO-DPMNE përpiqet t’i manipulojë dhe gënjejë qytetarët.

“VMRO-DPMNE është kundër BE-së, këtë mbrëmë para opinionit e pranoi edhe vetë Hristijan Mickoski. Të gjithë e kanë të qartë se në propozimin nga presidenca franceze janë inkorporuar vërejtjet dhe qëndrimet tona, se kemi gjuhë të pastër maqedonase në BE, se çështjet historike nuk do të jenë pjesë e procesit negociues”, thonë nga LSDM-ja.

Në mbështetje të propozimit francez dalin nga partinë VMRO-Popullore e Lupço Georgievskit. Në kumtesë për mediat nga kjo parti thonë se ky propozim është më i miri deri më tani dhe në asnjë formë nuk preket gjuha maqedonase.

Partitë opozitare shqiptare deklaruan se do ta shqyrtojnë me vëmendje propozimin francez pastaj do të ndërtojnë qëndrim konkret. Por shtojnë se me rastin e hapjes së Kushtetutës së vendit, do të duhet të bëhet ndryshimi për gjuhën shqipe që ajo të mos përcaktohet si gjuha që e flasin 20% e qytetarëve, por si gjuhë shqipe./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button