Vazhdojnë vjedhjet e veturave “Golf 5” në Çair

Vjedhja e veturave të tipit “Golf 5” në rajonin e komunës së Çairit po bëhet përditshmëri. Kështu të paktën tregojnë të dhënat e qytetarëve. Vetëm në dy ditët e fundit janë paraqitur edhe dy raste të vjedhjes së veturave “Golf 5”. Alsat bisedoi me njërën nga pronaret, të cilës i është vjedhur vetura rreth katër ditë më parë. Shahadie Osmani thotë se rastin e kanë paraqitur në polici, ndërsa nuk kanë marrë asnjë përgjigje edhe pse nënvizon që prej tek banesa, vjedhësit me veturën e kanë pasur patjetër të kalojnë në rrugët ku ka kamera. Shton se veturën e kanë kërkuar gjithkund ku kanë dyshuar se mund të ndodhet, por nuk kanë arritur ta gjejnë.

Na është paraqitur një rast nga lagjen Butel të cilëve para dy jave u është marrë vetura, të nesërmen ndodhen edhe ngjarje të tjera, u dogj një veturë, dy të tjera ishin vjedhur. Na u paraqitën po të njëjtit se mos kemi ne ndonjë informatë, por të gjithë ishin të pa shpresë. po neve besojmë në organet kompetente, por tani sa ata do të punojnë dhe do të merren me këtë rast nuk e di. veç e shohim që ka një panik tek të gjithë qytetarët, këtu në parking përpiqen ti bllokojnë veturat e të njëjtit tip, është panik, është përhapur panik -deklaroi Shahadie Osmani, pronare e veturës së vjedhur.

Nga MPB konfirmojnë vjedhjen e dy veturave në dy ditët e fundit. Nga ky dikaster thonë se në kryeqytet numri i automjeteve të vjedhura është edhe më i madh.

Në periudhën prej më 01 deri më 11 nëntor në rajonin e Shkupit janë paraqitur 13 automjete të vjedhura. Në periudhën e njëjtë janë gjetur 10 automjete të cilat janë paraqitur si të vjedhura. Më datë 19.11.2020 janë paraqitur edhe dy automjete në rajonin e Çairit dhe atë, automjet për udhëtim “Golf” me targa të Shkupit dhe automjet ngarkues “Opel” me targa të Norvegjisë – njoftojnë nga MPB.

Pos vjedhjeve, së dy ditë më parë në lagjen fushë Tophanë në Çair, iu vu flaka një veture e tipit “Golf 5”

 

Mefail Ismaili

LEXO EDHE:

Back to top button