Vazhdon Dialogu Kosovë-Serbi, Kurti e Vuçiç do të takohen në Berlin

Vazhdon Dialogu Kosovë-Serbi, Kurti e Vuçiç do të takohen në Berlin

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pritet të shënojë një rrjedhë të rëndësishme këtë javë. Ditën e mërkurë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të takohen në Berlin me ndërmjetësimin e të Dërguarit të Posaçëm të Bllokut Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka konfirmuar një takim të përbashkët të Mirosllav Lajçak me dy liderët në Berlin me ftesë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

“Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka ftuar presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti në vizita të posaçme bilaterale në Berlin, më 4 maj. Me ftesë të kancelarit Scholz, edhe i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të jetë në Berlin më 4 maj për t’u takuar së pari me kancelarin, e pastaj edhe në një takim joformal me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Në BE ka pasur disa përpjekje për të krijuar kushte për një takim të nivelit të lartë midis Kurtit dhe Vuçiçit, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por deri më tani pa sukses.

Sa i takon procesit të dialogut, Lajçak ka paralajmëruar se më datën 13 maj do të presë në një takim të radhës kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, në kuadër të dialogut për çështje teknike.

LEXO EDHE:

Back to top button