Vazhdon gjykimi ndaj terroristit që sulmoi dy xhami në Christchurch


Në Zelandën e Re ka vazhduar gjyqi ndaj terroristit, Brenton Tarrant, i cili vrau 51 persona dhe plagosi 49 të tjerë gjatë një sulmi të armatosur në 2 xhami në qytetin Christchurch, transmeton Anadolu.

Sot në seancën e dytë të gjykimit që filloi dje kanë folur familjarët e të viktimave, ku Rashid Omar, babai i viktimës Tarik Omar duke bërë të ditur se Tarrant i ka marrë djalin nga duart tha: “Uroj të gjesh qetësi brenda vetes tënde, por kam dyshim se ajo qetësi nuk do të vijë tek t’i. Nuk të fal”.

Ndërsa imami i Linwood, një nga xhamitë e sulmuara, Ibrahim Muhammed Abdelhalim tha se ky sulm ishte një akt racist dhe terrorist. “Ky sulm ka prekur thellë jo vetëm myslimanët në vend por të gjithë Zelandën e Re”, tha ai.

Imami Abdelhalim tha se bashkë me familjen e tij është vendosur në Zelandën e Re para 24 vitesh. “Të luftosh dhe të vrasësh nuk është një mendim i përshtatshëm për islamin. Ne duhet të zgjidhim problemet tona duke folur me njëri-tjetrin”, tha ai.

Ndërsa Ambreen Naim, nëna e Talha Naim dhe bashkëshortja e viktimës Naim Rashid tha se bashkëshorti i saj dha shpirt teksa përpiqej të shpëtonte anëtarët e tjerë të xhematit në xhami. “Që kur burri im është ndarë nga ne, unë nuk kam bërë gjumë të rregullt. Besoj se edhe pas kësaj nuk do të mund të fle. Për këtë arsye ndëshkimi për sulmin duhet të zgjasë për jetë”, tha Ambreen Naim.

Noraini Milne, nëna e viktimës Sayyad Milne tha se terroristi Tarrant është frikacak. “Çfarë do lloj dënimi që të marrësh kjo nuk do të jetë kurrë e mjaftueshme në këtë botë”, tha ajo.

LEXO EDHE:

Back to top button