Vazhdon greva në shkollat fillore dhe të mesme

Vazhdon greva në shkollat fillore dhe të mesme

Gazetare: Melihate Rrustemi

Java e tretë e grevës, në shkollat fillore dhe të mesme të vendit. Përjashtim bëjnë çerdhet pasi të punësuarit vendosën për ndërprerjen e përkohshme të grevës. Të martën, Këshilli i SASHK-ut vendosi për vazhdim të grevës dhe nuk pranoi marrëveshjen e arritur gojarisht mes Qeverisë dhe kryesisë së SASHK-ut për rritje të pagave për 12%.

“388 ishin për vazhdimin e grevës dhe vetëm 83 për ndërprerje të saj. Shumica e atyre që u deklaruan për ndërprerje të grevës janë organizata sindikale nga mbrojtja e fëmijëve. Pa përjashtim numri i madh i atyre që janë për vazhdim të grevës janë kolegë dhe kolege, punonjës të arsimit fillor dhe të mesëm”, deklaroi Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

Shpend Bafqari që në sindikatën e Arsimit përfaqëson rajonin e Tetovës tha për Alsat se greva do të vazhdojë derisa Qeveria të marrë seriozisht kërkesat e mësimdhënësve.

“Ne grevën e vazhdojmë sipas orarit mësimor. Profesorët shkojnë dhe vijnë sipas orarit që e kanë në mësim. Gjithashtu ka vazhduar greva në të gjitha shkollat, në fillore dhe të mesme. Nuk ishte vetëm propozimi i 12 %, mënyra e qasjes, bisedimeve është ofenduese. Tashmë dy javë ditë jemi në grevë ato seriozisht nuk e kanë marrë grevën, funksionojnë nëpërmjet mediumeve. Ne në shkollë jemi por greva do të vazhdojë për shkak të mos seriozitetit nga ana e Qeverisë”, tha Shpend Bafqari, SASHK, dega Tetovë.

Pas vendimit për vazhdimin e grevës, ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri u ka bërë thirrje drejtorëve që të organizojnë mësim, ndërsa prindërit t’i çojnë nxënësit në mësim. Sipas Shaqirit, tashmë është humbur shumë nga mësimi dhe kjo gjë duhet të ndalet. Greva përplasi edhe VMRO dhe LSDM-në. Opozita maqedonase tha se mbështet grevën pasi pushteti vazhdimisht po eksperimenton me procesin mësimor. LSDM-ja nga ana tjetër akuzon VMRO-në se e nxit grevën në Arsim dhe e politizon këtë çështje duke dëmtuar nxënësit dhe mësimdhënësit. Ka reaguar edhe UNICEFI, i cili shpreh shqetësimin për humbjen e mësimit dhe thotë se çdo orë e humbur duhet të kompensohet. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button