Vazhdon lufta me flakët në rajonin e Berovës

Vazhdon lufta me flakët në rajonin e Berovës

Gazetare: Evi Shkopi

Nga ajri dhe nga toka, njësitë zjarrfikëse vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e zjarrit në Berovë. Zjarri ka shkrumbuar pothuajse 50 hektarë sipërfaqe pyjore. Gjatë orëve të para të mëngjesit për shuarjen e flakëve është angazhuar një helikopter i policisë, i cili siç thonë nga Qendra për Menaxhim me Kriza, ka luajtur rol të rëndësishëm në zbutjen e zjarrit në vatrën kryesore. Më pas në ajër është ngritur edhe “Air tractor” avioni i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Drejtori i Qendrës për Menaxhim me kriza, Stojançe Angellov thotë se për vënien nën kontroll të plotë të flakëve do të nevojitet angazhim në terren së paku edhe për një ditë.

“Arritën që me sukses të kenë kontroll të pjesshëm ndaj zjarrit. Presim që gjatë ditës të kemi kontroll të plotë. Fikja me gjasë do të zgjas më shumë, sepse në disa vend, siç mund të shihni pas meje digjen trungje, dru me të mëdhenj, të cilët është e vështirë të fiken, ndërsa duhet më shumë kohë që të digjen. Dëmi nga ky zjarr nuk mund as të krahasohet me atë të vitit të kaluar”, deklaroi Stojançe Angelov – Qendra Për Menaxhim me Kriza.
Kryetari i Komunës së Berovës, Zvonko Pekeski tha se zonat e banuara nuk janë të rrezikuara nga zjarri. Ai thotë se sot për shuarjen e zjarrit janë angazhuar edhe njësitë e zjarrfikësve nga Strumica, Dellçeva, Koçani, Vinica, Pehçeva si dhe vullnetarë.

“Në afërsi nuk ka. Është pjesë malore e vështirë për të pasur qasje, pra është larg na vendet e banueshme. Këtu afër ka disa stalla dhe disa familje që ruajnë bagëti. Megjithatë, kemi ndërhyrë në kohë deri tani nga disa institucione dhe shpresoj se me koordinimin që kemi sot duhet të kemi kontroll të plotë ndaj zjarrit. Mbrëmë në terren ishte vetëm njësia zjarrfikëse e Berovës, shërbimet e Pyjeve Nacionale- Berovë, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe nga Ndërmarrjet Komunale”, u shpreh Zvonko Pekevski- kryetar i Komunës së Berovës.

Sipërfaqja që po digjet është në zonën e Malishevës, në kufirin me fshatrave Mitershincë dhe Budinarcë. Kjo sipërfaqe është e pyllëzuar me dru lisi dhe ahu, por sipas institucioneve drutë më të mëdhenj do t’u mbijetojnë flakëve, pasi zjarri më së shumti ka djegur shkurre, barë dhe dru më të vegjël. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button