Vazhdon numërimi i votave në Shtetet e Bashkuara

Ende nuk është i qartë fituesi i zgjedhjeve presidenciale amerikane, ndërsa rezultati varet nga disa shtete ku mbetet për t’u numëruar një sasi e madhe e votave me postë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Presidenti Donald Trump ishte në një avantazh të konsiderueshëm në shumicën e këtyre shteteve, por votat e panumëruara pritej të favorizojnë sfiduesin Joe Biden, mbështetësit e të cilit votuan nëpërmjet postës në numra shumë më të mëdhenj.

Megjithë pasigurinë, Presidenti Trump u shfaq përpara kamerave në Shtëpinë e Bardhë në orët e para të së mërkurës për të deklaruar se ai beson se ka fituar dhe se do të shkonte në Gjykatën e Lartë për t’u përpjekur të ndalë numërimin.

“Ky është një mashtrim madhor ndaj vendit tonë”, deklaroi Presidenti Trump, duke shtuar se “për sa më takon, unë kam fituar tashmë”.

Më herët, zoti Biden iu drejtua mbështetësve nga qyteti i tij Wilmington, në shtetin Dellauer, për t’i falenderuar dhe për të shprehur besimin se ai do të triumfojë.

“Ruani besimin; do ta fitojmë këtë”, u tha zoti Biden mbështetësve që brohorisnin dhe u binin borive të makinave pranë shtëpisë së tij.

Por, ndërsa numërimi i votave vazhdoi në disa shtete kyçe ku ai radhitet pas Presidentit Trump, zoti Biden paralajmëroi se “duhet të jemi shumë të duruar”.

Numërimi i votave

Nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Trump shkruajti në Twitter se “Do të fitojmë thellë, por ata po mundohen t’i vjedhin Zgjedhjet”. Twitter e etiketoi mesazhin me përmbajtje “të debatueshme dhe konfuzuese”.

 

Më vonë, gjatë një fjalimi për mbështetësit, presidenti tha se juristët republikanë do të kërkojnë lëshimin e një urdhëri nga Gjykata e Lartë për t’i dhënë fund numërimit të votave në shtetet Xhorxhia, Karolina e Veriut, Pensilvani, Miçigan dhe Uiskonsin, shtete ku Presidenti Trump qëndron në avantazh domethënës, megjithëse zoti Biden mund t’ia kalojë kur të jenë numëruar votat e mbetura nga bastionet demokrate. Ato janë shpesh vota nga qytetet e mëdha, kur mbështetja elektorale ndaj Presidentit Trump është më e dobët.

 

Në vazhdim, fushata elektorale Biden e quajti zotimin e presidentit për të mbyllur numërimin e votave, një përpjekje “revoltuese” për t’u hequr të drejtat demokratike shtetasve amerikanë që hodhën votën e tyre përpara datës së zgjedhjeve.

 

Çuditërisht, Presidenti Trump bëri thirrje për t’i dhënë fund zgjedhjeve megjithëse radhitej pas zotit Biden në numërimin e votave të Kolegjit Elektoral, 220 me 213, kur nevojiten 270 vota elektorale nga 538 për një mandat të ri presidencial që fillon më 20 janar.

 

Gjatë ditëve të fundit, Presidenti Trump u kishte thënë njerëzve të afërt se do të shpallte fitoren nëse ndjente se ishte në avantazh.

 

“Mendoj se është një gjë e tmerrshme nëse votat mund të mblidhen pas zgjedhjeve”, u tha ai gazetarëve të dielën. “Mendoj se është një gjë tmerrshme që shteteve t’u lejohet tabulimi i botave për një periudhë të gjatë pasi zgjedhjet kanë mbaruar”.

 

Nënpresidenti Mike Pence tha se republikanët ishin të vendosur “të mbronin votën”, por nuk përsëriti deklaratën e Presidentit Trump se ata kishin fituar.

 

Zhvillimet më të fundit

 

* Demokratët pritet të ruajnë kontrollin e shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve. Por, kontrolli i vazhdueshëm republikan i Senatit ishte i pasigurtë, ndërsa nuk ishte vendosur ende rezultati i disa zgjedhjeve për në Senat në mbarë vendin.

 

* Udhëheqësi i maxhorancës republikane, Senatori republikan Mitch McConnell, i shtetit Kentaki, fitoi mandatit e tij të shtatë 6-vjeçar.

 

* Sipas një anketimi të Edison Research, Presidenti Trump përmirësoi pozitat e tij në radhët e çdo race dhe gjinie, me përjashtim të burrave të bardhë, krahasuar me nivelet e vitit 2016 kur ai mposhti demokraten Hillary Clinton.

 

* FBI-ja tha se po hetonte për telefonatat të automatizuara që kishin dekurajuar votimin e njerëzve në disa shtete. Sidoqoftë, nuk pati shenja konflikti në shkallë të gjerë tek qendrat e votimeve, siç pritej nga disa.

 

* Sekretari në detyrë i Sigurisë Kombëtare, Chad Wolf, u tha gazetarëve të martën se “nuk ka tregues” se ndonjë aktor i huaj mund t’ia ketë dalë të ndërhyjë në zgjedhje.

 

Por, rezultati i garave në disa shtete, në Karolinën e Veriut, Xhorxhia, Miçigan, Uiskonsin dhe Arizona, është ende i pavendosur, ndërsa zyrtarët vazhdojnë të numërojnë miliona vota, disa prej tyre të hedhura të martën dhe shumë të tjera gjatë javëve të votimit të hershëm.

 

“Do të jetë një betejë deri në fund”, tha La Trice Washington, eksperte e shkencave politike në Universitetin Otterbein në Ohajo.

LEXO EDHE:

Back to top button