Vazhdon vaksinimi kundër gripit stinor, ulet interesimi
Vazhdon vaksinimi kundër gripit stinor, ulet interesimi
Gazetare: Linda Ebibi
Vaksinimi kundër gripit stinor është duke u zhvilluar në mënyrë të pandërprerë, edhe pse javën e fundit ka rënë interesimi, shkruan Alsat.
Deri më tani mbi 12 mijë persona janë vaksinuar vetëm në kryeqytet. Nga Shtëpia e Shëndetit Publik në Shkup thonë se ende kanë vaksina në dispozicion, dhe të interesuarit mund të paraqiten përmes sistemit “Termini Im”.
“Dy javët e para kishte terminë më të shpeshtë dhe ishin të vaksinuar përqindje më e madhe e qytetarëve… Sipas të dhënave që kemi ne nga qendrat e vaksinimit në Shkup, vaksinim zhvillohet në tri vende, do të thotë qendra Idadijë deri më tani janë vaksinuar 4.935 persona, qendra në Bit Pazar 4.784 persona dhe qendra në Bukuresht 2.500 persona që kanë pranuar vaksinë për gripin stinor”, tha Sonja Rraleva, mjeke.
Më të interesuarit për ta pranuar vaksinën kundër gripit janë personat mbi 65 vjeç, të cilët bëjnë pjesë në kategorinë e rrezikut më të lartë.
“Sipas statistikave të cilat i posedojmë, përqindja më e madhe e njerëzve të vaksinuar është i moshës 65 vjeçare. Kjo është kategoria më e rrezikuar që mund të sëmuret lehtësisht dhe të përfundojë me pasoja të rënda kur sëmuren nga gripi dhe kjo ka qenë kategoria e parë që është vendosur në sistemin Termini Im”, u shpreh Sonja Rraleva, mjeke.
Mjekët apelojnë kategoritë e rrezikuara që të vaksinohen, pasi sipas tyre kjo është mënyra e vetme për t’u mbrojtur nga komplikimet serioze. / Alsat.mk