“Vdekshmëria e foshnjave”, Memedi: Dezinformata dhe shkrime raciste
“Vdekshmëria e foshnjave”, Memedi: Dezinformata dhe shkrime raciste
Gazetare: Linda Ebibi
Drejtori i Klinikës për Sëmundje të fëmijëve Rexhep Memedi tha se disa individë me dezinformata dhe shkrime raciste po bëjnë fushatë kundër klinikës dhe kundër tij, madje duke keqpërdorur edhe fëmijët. Ai tha se vdekjet e foshnjave në këtë klinikë janë shumë herë më të ulëta se sa vitet e kaluara. Ai foli edhe për vdekjen e foshnjës 14 muajshe për çka tha se intubimi nuk ka qenë shkak i vdekjes, ndërsa shtoi se kanë vërejtje për raportin e komisionit.
“Nga tabela e treguar me të dhënat e sistemit informativ të Klinikës së Fëmijëve vihet re qartë se tani kemi një vdekshmëri gati dy herë më të ulët krahasuar me 5 vite më parë ose vdekshmëri tre herë më të ulët krahasuar me 9 apo 10 vite më parë ku kishte mesatarisht 9 vdekje në muaj, pra mesatarisht çdo 3 ditë nga një vdekje, në një kohë kur të tjerët drejtonin Klinikën e Fëmijëve dhe kishte një qeveri tjetër në vend”, deklaroi Rexhep Memedi, drejtor në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve.
Në konferencën për media, Memedi foli edhe për kushtet në Klinikë. Ai tha se Klinikën e ka gjetur në gjendje të rëndë dhe me shumë defekte të cilat sipas tij janë me rrezikshmëri të lartë. Njëra ndër ato ishte mungesa e ujit, që në rast të zjarrit nuk do kenë ujë për shuarjen e tij.
“P.sh do të potencojë kuzhinën ku përgatitet ushqimi për fëmijët, në gjendje tepër të amortizuar, me enë të vjetra mbi 20 vjeçare që bartin rrezikshmëri të lartë në procesin e përgatitjes së ushqimit për fëmijët… Pastaj kemi problemin e ashensorëve të cilët janë, disa prej tyre mbi 40 vite të vjetër, të amortizuara, jashtë funksionit e të cilat nuk janë zgjidhur me vite të tëra… Kemi pastaj pjesën e stacionit të pompave, është aty një pompë, një hidroforë i cili siguron shtypje të lartë për hidrantët që kemi në çdo repart, në rast të zjarreve e kështu me radhë, fatkeqësisht këta hidrantë nga 2018 janë jashtë funksionimit, jashtë përdorimit dhe kjo është një gjendje që ka rrezikshmëri të lartë”, tha Rexhep Memedi, drejtor i Klinikës së Fëmijëve.
Për këtë gjendje Memedi tha se është i informuar edhe ministri i shëndetësisë Arben Taravari dhe se janë në proces e sipër për mënjanimin e tyre. /Alsat.mk