Vedat Muriqi, një element kyç për skuadrën e Majorkës

Vedat Muriqi po shihet si një shpëtimtar i Majorkës. klubi ishullor spanjoll nuk e ka nisur mirë sezonin e ri duke e gjetur veten në vendin e 15-të në La Liga me 5 pikë nga 5 ndeshje. Skuadra spanjolle e shijoi fitoren e parë sezonale vetëm fundjavën që shkoi ndaj Selta Vigos dhe atë falë golit të përfaqësuesit kosovar në minutat e fundit të takimit.
Natyrisht, do të jetë e vështirë që “Pirati” ta përsërisë sezonin e fundit, kur i realizoi 15 gola në La Liga, duke u bërë njëri prej golashënuesve më të mirë të ligës elitare spanjolle. Por, goli i parë sezonal i jep shpresë Majorkës që Muriqi do të shpërthejë dhe do ta marrë për dore ekipin për ta shpëtuar pa rënë nga liga në edicionin e tretë radhazi. Fillimisht, ai ishte huazuar nga Lacio para dy vjetësh në pjesën e dytë të sezonit, duke e ndihmuar ekipin spanjoll të mos binte nga liga, ndërsa të njëjtën gjë e bëri edhe në sezonin 2022/23.
E tash, mediumi spanjoll “Marca” shkruan se fitorja ndaj Selta Vigos ishte një oksigjen dhe një lirim mental për Majorkën, ndërsa Muriqin e sheh si shpresë dhe drejtues i timonit të Majorkës për ta siguruar bashkërisht mbijetesën në La Liga.
Muriqi kishte oferta nga disa klube të ndryshme evropiane në verën që po shkon, por megjithatë vendosi t’i mbetej besnik skuadrës spanjolle, aty ku ndihet mjaft mirë dhe ku ndihet i rëndësishëm.