Vendi hyri në valën e 5 të pandemisë, Filipçe shfaqet në publik dhe flet për rritjen e shifrave

Përgatiti: Adnan Qaili

Pas pothuajse një muaji mungesë në paraqitjet publike, Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe doli para gazetarëve, por vetëm on-line. Mos prezenca e tij mohon të ketë lidhje me krizën politike dhe thotë se kanë qenë në koordinim me Komisionin për sëmundje infektive. Por as komisioni nuk ka mbajtur takim megjithëse vendi është zhytur në valë të re të pandemisë me 8 mijë raste aktive, e që janë në rritje të vazhdueshme. Në mesin e tyre, 1068 fëmijë nën moshën 18 vjeçe janë të infektuar. Në Institutin “Kozle” janë të shtruar 23 fëmijë, dy prej të cilëve në oksigjeno terapi. Pacienti më i ri është foshnje 2 muajsh.

“Situata epidemiologjike në vend ka shënuar rritje me rastet e reja pozitive me CoVid-19, duke filluar nga periudha para dy javëve. Analizat tregojnë se kuota e të diagnostikuarve ka rritje për 25%. Rritet edhe faktori R-zero i përhapjes së infeksionit për një koeficient, nga 1,05 në 1,14 që është indikator i qartë se tani do të ketë ndryshim relativ të situatës epidemiologjike”, deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Ministri Venko Filipçe vetëm brenda 30 minutash të konferencës për media dha dy qëndrime që bien në kundërshtim me njëra-tjetrën: mos paraqitjen e tij të gjatë e arsyeton se situata epidemiologjike ka qenë stabile, ndërkaq në fillim të fjalimit tha se dy javët e fundit ka rritje për 25% të rasteve pozitive.

“Jo, mungesa ime fizike ishte për shkak se situata epidemiologjike ishte kryesisht stabile. Gjatë kohës së fushatës parazgjedhore nuk kemi mundur të prezantojmë disa promovime për shkak se e gjithë ajo është e ndaluar, kështu që kjo pres konferencë është iniciuar sepse ka ndryshim në situatën epidemiologjike dhe këtë qytetarët duhet ta dinë me apelet dhe porositë që kemi”, theksoi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Si pasojë është rritur për 28% edhe incidenca për kokë banori në 35 qytete. Që nga vala e katërt e gushtit nuk ka pasur kaq të hospitalizuar, ku aktualisht 518 pacientë janë në kurim spitalor nga virusi korona. Kjo rritje prej 15% e të shtruarve nëpër repartet infektive sipas autoriteteve shëndetësore nuk është e mjaftueshme për të rekomanduar masa të reja restriktive. Kreu i shëndetësisë Filipçe tha se virusin më mirë ta ndalojmë sesa ta shërojmë, duke kërkuar që të rritet vaksinimi. Por, as për imunizimin e 2/3 së popullsisë së pa vaksinuar nuk kanë ndërmend të shtojnë masa kufizuese apo motivuese. Sipas të dhënave vaksinimi ka ngecur dhe deri më tani 37% e popullsisë është e imunizuar plotësisht.

 

LEXO EDHE:

Back to top button