Vendimi për shkarkimin e Damevës nuk është publikuar në Gazetën Zyrtare

Vendimi për shkarkimin e Damevës nuk është publikuar në Gazetën Zyrtare

Gazetar: Adrian Kerimi

Vendimi i shtatë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të cilët më 26 prill votuan për shkarkimin e kryetares Vesna Dameva, nuk është dërguar për publikim në Gazetën Zyrtare. Nga ky institucion thanë shkurt se një njoftim të tillë nuk ka, ndërsa Alsat mëson se për një veprim të tillë ligjor këshilli nuk ka bërë as pagesat e nevojshme që çojnë në publikimin e vendimit. Gazeta Zyrtare nuk ka të drejtë që në kuadër të kompetencave ligjore të shqyrtojë ligjshmërinë e vendimit, përkatësisht vlerësimin nëse i njëjti me 7 vota “për” ka fuqi juridike dhe mund të procedohet apo jo.

Ligji për Gazetën Zyrtare, Neni 5 paragrafi 6
“Për publikimin e akteve përkujdeset organi, përkatësisht institucioni që e ka sjell vendimin”.

Ndërkohë edhe Prokuroria Publike e Shkupit po pret publikimin e vendimit në Gazetën Zyrtare, që më pas të mund të procedon drejt vlerësimit nëse ekziston vepër penale në procedurën për shkarkim ose jo. Paraprakisht nga organi i akuzës kanë njoftuar se për momentin nuk ka denoncues mbi dyshimet për “shpërdorim me detyrën zyrtare” dhe “vepër penale e përbërë” apo vazhdimësi e veprave penale.

Ligji mbi Këshillin Gjyqësor sanksionon mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të këtij trupi me 8 vota “për”. Dispozita për shkarkim nuk ekzistojnë, por zbatohen dispozitat e Ligjit mbi gjykatat sikur në situatat e shkarkimit të gjykatësve ose kryetarëve të gjykatave. Kjo nënkupton se shkarkimit duhet t’i paraprij konstatimi i përgjegjësisë së anëtarit apo në këtë rast kryetarit nga komisioni përkatës disiplinor.

Ekspertët kanë vlerësuar se në rastin konkret duhet të ndërhyjë edhe Kuvendi si bashkë konstituues i përbërjes nga i cili zgjidhen dhe delegohen tre anëtarë. Ndërkohë njohës të çështjeve penale kanë vlerësuar se mbi gjendjen faktike duhet të vepron Prokuroria Publike. Tentativa për shkarkimin e Damevas u ndërmor nga nënkryetari i Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi i cili pavarësisht se nuk kishte drejt vote si propozues, plotësoi votën e 7 për shkarkim. Ademi mori kryesimin e seancës në prezencë të Damevas, pavarësisht se ligji thotë se nënkryetari udhëheq me seancën vetëm në rastet kur mungon kryetari i këshillit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button