Verstapen, Antoneli apo Rasell, në garë për dy vendet te Mercedesi për vitin 2026

Skuadra e “Mercedes”-it ka kohë që po e kërkon Maks Verstapenin, por Toto Volf e dinte se shanset e tij për ta bindur holandezin të bashkohej vareshin nga konkurrueshmëria si e makinës gjermane ashtu dhe e “Red Bull”. Vështirësitë teknike të rivalëve e shtynë austriakun të niste një sulm të ripërtërirë disa javë më parë, por Maksi do të jetë ende faktori vendimtar.

Verstapen synon të presë deri në pushimet verore për të vlerësuar progresin e “Red Bull”, një aspekt që ai padyshim e konsideron të rëndësishëm për të arritur një vendim për vitin 2026. Shkarkimi i Kristian Horner mund të interpretohet si përpjekja e “Red Bull” për të mbajtur kampionin e saj, rrethi i të cilit kishte pasur disa mosmarrëveshje me ish-drejtorin e ekipit. Ndaj, Volf nuk mund të presë përgjithmonë dhe po ushtron presion mbi Verstapenin.

 

“Grupi i pilotëve për vitin 2026 është një vendim që ka të bëjë jo vetëm me ekipin, por edhe me vetë pilotët, të cilët duhet ta dinë situatën e tyre. Ne gjithmonë jemi përpjekur t’i përmbahemi këtij rregulli dhe do ta bëjmë këtë edhe këtë here. Kjo do të thotë që në garën e “Spa”-s do të dimë me cilin ekip duam të garojmë në vitin 2026. Kur do ta shpallim nuk është ende plotësisht e sigurt“, tha drejtori i ekipit Mercedesit.

 

“Diskutimet kanë ndodhur javët e fundit dhe të gjithë janë të informuar. Sidoqoftë, drejtimi që po marrim është të vazhdojmë të punojmë me George dhe Kimi. Kjo është përparësia kryesore. Natyrisht, nuk mund ta injorojmë Maksin dhe planet e tij për të ardhmen, por nuk mendoj se do të ketë ndonjë surprizë të madhe“, tha Toto Volf.

 

Duket se nuk ka asnjë garanci se Mercedes do të ketë makinën më të mirë në vitin 2026, madje edhe me një njësi fuqie superior, MekLaren po i tejkalon ata si klient.

LEXO EDHE:

Back to top button