Verstapen dominon provat zyrtare në Katar, afër titullit të tretë

Piloti holandez i Red Bull, Maks Verstapen, siguroi “pole position” në pistën e Katarit, ku këtë fundjavë pret të kurorëzohet kampion bote në Formula 1 për të tretën herë.
Në vendin e dytë u rendit makina e MekLarenit me Lando Norris, por koha e tij ishte e pavlefshme dhe u penalizua nga komisarët e garës, duke e nisur nesër garën sprint nga vendi i dhjetë. Kështu, vendin e dytë e zuri britaniku Xhorxh Rasell me “Mercedes”. Rasell la pas Oskar Piastri (i treti me MekLaren) dhe Luis Hamiltonin (i katërti me Mercedes). Zhgënjen Ferrari, në vendin e shtatë me Sharll Lekler, pas Fernando Alonso (i gjashti me Aston Martin).
Në “Top-10” u renditën edhe Gasli (Alpine), Okon (Alpine), Botas (Alfa Romeo) dhe Noris (MekLaren). Provat zyrtare sot ishin zhgënjyese për Karlos Sainz (vendi 12 me Ferrari) e Serhio Perez (vendi 13 me Red Bull). Të shtunën do të zhvillohet gara sprint, me Verstapenin që mund të shpallet kampion bote në Formula 1, pasi i mjaftojnë 3 pikë. Ndërsa të dielën do të zhvillohet gara e Katarit.