Vetëm 7 lojtarë janë të sigurt te Interi për sezonin e ri

Interi përgatit revolucionin. Dy sezone radhazi pa titull, kanë nxitur reflektimin në kampin zikaltër. Drejtuesit e klubit po mendojnë të ndryshojnë deri në gjysmën e organikës aktuale.

Sipas mediave italiane, në grup nuk ka më të paprekshëm, ndaj shumë do të varet edhe nga ofertat. Deri tani vetëm 7 lojtarë bëjnë pjesë në listën e atyre që do të qëndrojnë me siguri. Onana, Darmian, Dimarco, Asllani, Mkhitaryan, Calhanoglu e Lautaro janë lojtarët që do të mbajnë veshur fanellën zikaltër edhe për sezonin e ardhshëm. Dhe pikërisht sulmuesi argjentinas pritet të jetë lideri i ri, pasi do t’i besohet shiriti i kapitenit.

Sa u përket largimeve, 6 futbollistë janë në listën e sigurt. Bëhet fjalë për Handanovic, D’Ambrossio, Skriniar, Gagliardini, Dumfries e Bellanova. Katër të parëve u skadon kontrata dhe nuk u është ofruar rinovimi. Për Bellanovën nuk do të ushtrohet e drejta e blerjes nga Cagliari, ndërsa Dumfries do të shitet për të mbushur arkat.

Futbollistët që janë në dyshim

Pjesa tjetër e lojtarëve janë ende në dyshim, pasi Barella, Gosens e Brozovic janë pjesë e projektit. Megjithatë ata mund të shiten në rast të ndonjë oferte joshëse. Edhe Bastoni shihet si pjesë e rëndësishme, por nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje për rinovimin e kontratës deri në qershor, atëherë italiani do të shitet për të shmangur një rast si ai i Skriniar, që do të largohet me parametra zero.

Situatë e komplikuar është edhe ajo e Xhekos dhe De Vrij, të dy në skadencë kontrate. Interi dëshiron të rinovojë me të dy, por me pagë ndjeshëm më të ulët se aktualja. Tani mbetet për t’u parë vullneti i tyre për të vijuar me këto kushte. Acerbi është një nga futbollistët që ka bindur më së shumti, por edhe në këtë rast Interi nuk dëshiron të paguajë 4 milionë euro për një 36-vjeçar. Zikaltrit janë gati të blejnë italianin vetëm nëse Lazio përgjysmon pretendimet.

LEXO EDHE:

Back to top button