Vetëvendosje kërkon sanksione për Serbinë
Vetëvendosje kërkon sanksione për Serbinë

Në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje kërkon që para se Kosova të rikthehet në dialog, të ketë sanksione ndaj Serbisë për aktin terrorist të shtatorit në veri. Ndërkohë Bashkimi Evropian pret që gjatë hetimeve Serbia të bashkëpunojë pa kushte për zbardhjen e sulmeve.
Lëvizja Vetëvendosje kërkon sanksionimin e Serbisë para rifillimit të dialogut. Sipas kësaj partie, gjithçka çka është arritur në dialog, është vendosur në plan të dytë pas aktit të agresionit të Serbisë në Kosovë, më 24 shtator dhe se tani është e domosdoshme ofrimi i sigurisë për Kosovën.
“Para se t’i rikthehemi dialogut, është shumë e rëndësishme të qartësohen dy gjëra, që është të sigurohemi se s’ka ndonjë rrezik potencial për sulm potencial prej radhës së Serbisë. Këtë sigurisht mund të bëjmë në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse brenda Republikës së Kosovës. Po kërkojmë siguri për Kosovën dhe në anën tjetër po kërkojmë sanksione për Serbinë. Besojmë fuqishëm që sidomos pas këtij akti terrorist të 24 shtatorit, Serbia duhet të sanksionohet për atë çka ka bërë në Banjskë të Zveçanit,” deklaroi Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, Vetëvendosje.
Nga ana tjetër Bashkimi Evropian pret nga Serbia bashkëpunim të plotë, por edhe pa kushte gjatë hetimeve për zbardhjen e plotë të sulmeve në veri. Në këtë rast, askush nuk duhet të fshihet prapa qëndrimeve rreth statusit si pretekst. Këtë e tha zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe siguri, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjeve se me kë duhet të bashkëpunojë Serbia në hetime pasi Beogradi thotë se nuk e njeh Kosovën. Beogradi po ashtu ka deklaruar se nuk do ta ekstradojë në Kosovë, Milan Radoiçiqin, i cili e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë. Rezultati i hetimeve po pritet në BE edhe për të sqaruar nëse do të ketë masa ndëshkuese ndaj Serbisë. Një numër i madh shtetesh kanë kërkuar që të vendosen masa ndaj Serbisë, por Komisioni Evropian dhe disa vende anëtare po hezitojnë me arsyetimin se “duhet pritur përfundimin e hetimeve për të parë se a ka pasur lidhje Serbia me këtë akt”.