VIDEO / Fiton Barcelona me përmbysje, Levandovski shënon tripletë

Pas disfatës në “El Clasico” ndaj Real Madrid, Barcelona rikthehet te suksesi në La Liga teksa katalanasit mposhtën me përmbysje në shtëpi me rezultatin 4-2 Valencian. Të besuarit e trajnerit Ksavi Hernandez e nisën mirë duelin dhe shënuan të parët me anë të Firmin Lopez. Por, pas një gafe të Ter Stegen nga e cila përfitoi Duro erdhi baraspesha.

Ndërkohë, në të 38-tën, Valencia shënoi edhe të dytin me autor Pepelu që nuk gaboi nga pika e bardhë. Në fundin e pjesës së parë, miqtë mbeten me 10 vetë pas daljes me karton të kuq të portierit Mamardashvili. Një episod të cilin blaugranat e shfrytëzuan në maksimum teksa barazuan vetëm katër minuta pas startit të fraksionit të dytë me anë të Levandovski.

Një gol që kaloi edhe në “sitën” e sistemit VAR, por që në fund u konfirmua. Ishte po sulmuesi polak ai që shënoi edhe golin e përmbysjes në minutën e 82-të. Levandovski nuk u ndal me kaq pasi realizoi edhe të tretin personal, këtë herë nga goditja e dënimit duke i dhuruar kështu tre pikët skuadrës së tij, teksa mori edhe topin në shtëpi. Pas kësaj ndeshje, Barça ngjitet në kuotën e 73 pikëve në vend të dytë ndërsa Valencia mbetet me 47 pikë në vend të tetë.

LEXO EDHE:

Back to top button