VIDEO / Granada i merr pikë Barcelonës, barazim me shumë polemika

Barcelona nuk ia del ta mposhtë Granadan në përplasjen e katërt radhazi mes tyre. Në “Los Carmenes”, në kuadër të javës së nëntë të La Ligas, u zhvillua një sfidë tepër emocionuese, por që u mbyll pa fitues, 2-2. Vendësit kaluan në epërsi të dyfishtë falë dygolëshit të Zaragozas, por Barcelona mundi të barazonte në pjesën e dytë falë finalizimeve të Xhamall dhe Serhio Robertos.
E pabesueshme ajo që ndodh në “Los Carmenes”, në sfidën mes Granadës, ku aktivizohet Myrto Uzuni, dhe Barcelonës. Topin e parë e shkelmuan vendësit dhe pa u mbyllur sekonda e 17-të Zaragoza shtang Ter Stegenin, 1-0. Barcelona në një situatë vërtet shumë të vështirë. Sikur të mos mjaftonte goli I pësuar ende pa u nxehur muskujt dhe rastet e humbura nga Gavi e Feliks, “blaugranat” pësuan edhe golin e dytë, nga i njëjti autor, Zaragoza, që arrin të bëjë gjithçka në mbrojtjen e Barçës, 2-0.
Barcelona arrin të reagojë më në fund në fundin e pjesës së parë me Xhamal, të cilit i del me fat topi përpara syve thjesht për ta shtyrë drejt rrjetës, 2-1. Talenti i Barçës shënon rekord si golashënuesi më i ri në historinë e La Ligas. Nuk kanë fund emocionet në “Los Carmenes”: Serhio Roberto barazon rezultatin 4 minuta para fundit të kohës së rregullt. Feliks realizon në shtesë, por goli anulohet për pozicion jashtë lojë të Ferran Torresit si pjesëmarrës në aksion.