VIDEO / Përmbysja e çmendur e Barcelonës ndaj Selta Vigos

Barcelona ka fituar me përmbysje në shtëpi ndaj Selta Vigos me rezultat 3:2 në kuadër të javës së gjashtë në elitën e futbollit spanjoll. Golin e parë në këtë takim e shënoi danezi Jorgen Strand Larsen në minutën e 19-të të sfidës, pas një asistimi nga Luka de La Torre, duke e dërguar topin në cepin e djathtë të portës së Marc Andre Ter Stegen për (0-1). Në minutën e 36-të nga fusha e lojës u largua Frenkie De Jong si pasojë e një lëndimi dhe në vend të tij u fut Gavi. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë e këtij takimi.

Në minutën e 64-të të ndeshjes, Ferran Torres humbi një mundësi të artë për të vënë barazpeshën në këtë takim, pasi nuk arriti të gjejë kuadratin e portës. Vetëm pak minuta më vonë, më saktësisht në minutën e 76-të, Selta Vigo ia doli të dyfishojë epërsinë pas një kundërsulmi të shpejtë i cili pa grekun Anastasios Douvikas teksa dërgon topin në rrjetën e Ter Stegen pas një asistimi nga Iago Aspas.(0-2)

Barcelona arriti të zbusë epërsinë përmes Robert Levandoëskit i cili shënoi në minutën e 81-të (1-2). Polaku u shërbye në zonë nga portugezi Zhoao Feliks dhe me ndihmën e transversales arriti që të zbus shifrat në 2:1. Goli i barazimit nga blaugranët erdhi në minutën e 85-të ku përsëri autor i golit ishte Robert Levandovski.

 

Ai shfrytëzoi për mrekulli asistimin fantastik nga Zhoao Kanselo duke çuar topin në cepin e majtë të portës së Ivan Villar (2-2). Fitoren në këtë ndeshje Barcelonës ia dhuroi goli i Zhoao Kanselos i cili erdhi në minutën e 89-të të takimit pas një krosimi të hatashëm nga spanjolli Gavi (3-2).

Pas kësaj fitoreje, Barcelona renditet në pozitën e parë në tabelë me 16 pikë të grumbulluara por me një ndeshje më shumë të zhvilluar se rivali Real Madrid, që do të luajë derbin e qytetit ndaj Atletiko Madrid.

LEXO EDHE:

Back to top button