Vijon debati për gjykatësit kushtetues në Kuvend

Gazetare: Fatlume Dervishi

Pas pushimit kolektiv të Kuvendit, deputetët u kthyen për të vijuar sot debatin për zgjedhjen e gjykatësve të rinj kushtetues. Në Komisionin për zgjedhje dhe emërime shqyrtohen emrat e 9 kandidatëve të propozuar nga partitë politike, prej të cilëve duhet të zgjidhen 3. VMRO-DPMNE-ja këmbëngul se kandidatët e LSDM-së janë partiak dhe kjo formë e përzgjedhjes nuk e depolitizon këtë institucion.

“Kjo nuk është prej sot. Gjykata Kushtetuese për 30 vite funksionon me presion dhe diktat të partive. Prandaj janë të nevojshme ndryshime në zgjedhjen e gjykatësve dhe zgjedhja duhet të bëhet përmes një procedure transparente dhe në bazë të kritereve të qëndrueshme. Shumë njohës të drejtësisë thonë se urgjent na duhet një ligj i ri për Gjykatë kushtetuese”, – Petar Ristevski, deputet i VMRO-DPMNE

Deputetët e shumicës parlamentare nuk pajtohen që politizimi i Gjykatës Kushtetuese ka lidhje me pushtetin aktual.

“Për një funksion të tillë propozohen kandidatë të njohur, me përvojë dhe që e kanë dëshmuar veten të cilët duhet me punën e deritanishme të tregojnë se ajo që është shtyllë e rendit kushtetues në vend dhe që është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese ta mbrojnë dhe të jenë garanci për funksionimin e rendit kushtetues në vend” – Panço Minov, deputet i shumicës 

Emrat që kalojnë filtrin në komision, do të duhet të miratohen edhe në seancë plenare. Deri tani miratimin në komision e ka marrë Fatmir Skender, propozim i shumicës kurse është hedhur poshtë kandidatura e Rodna Zhivkovskës, propozim i opozitës. Debati ka mbetur te kandidatura e Tatjana Vasiç kurse pas saj duhet të debatohet edhe për kandidaturën e Lubomir Joveskit, i cili për momentin është kryeprokuror publik.
Gjykata Kushtetuese prej muajsh funksionon me vetëm 5 gjykatës, nga gjithsej 9 sa duhet të ketë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button