Vijon eksodi i ukrainasve nga vendlindja
Gazetar: Adnan Qaili
Rreth 800 mijë njerëz që kanë ikur nga lufta në Ukrainë kanë mbërritur në Poloninë fqinje deri më tani, thanë të shtunën autoritetet polake. Vetëm të premten nga Ukraina në Poloni kanë hyrë 106,400 njerëz, shkruan Alsat
Kjo është shifra më e lartë brenda një dite që nga data 24 shkurt, kur Rusia nisi sulmin ndaj Ukrainës, tha autoritetet polake. Qeveria e Polonisë ka ngritur 30 pika pritjeje kufitare, zyrtarët lokalë kanë ngritur më shumë qendra në qytete dhe bashki anembanë vendit. Por, ky numër sa shkon e rritet thonë autoritetet.
“Dua të kthehem sepse kam apartamentin tim, vëllain, miqtë e mi dhe vendin tim. Duhet të kthehem. Ushtria ruse mund të të vrasë në një makinë. Fatkeqësisht vrau fqinjët tanë, fqinjët me të gjithë familjen. Zemra ime është ende në Kiev dhe në vendin tim. Por më duhet pak kohë për të kuptuar dhe ndjerë se çfarë po ndodh”, tha Ludmilla Nadzemovska, refugjate ukrainase nga Kievi
Pas mbërritjes në Poloni, disa prej qytetarëve të Ukrainës, udhëtojnë drejt Gjermanisë dhe vendeve tjera të perëndimit. Përveç Polonisë, ata po kalojnë në Sllovaki, Hungari, Rumani dhe Moldavi.
“Në Ukrainën tonë ka një luftë, ne arritëm të mbërrijmë këtu dhe do të jemi këtu derisa të përfundojë lufta. Nuk dimë ku të shkojmë. Ne lamë pas fëmijët dhe të afërmit tanë, gjithashtu burrat tanë. Aty po bombardojnë. Shumë, shumë, çfarë mund të bëjmë”, tha Maria Cherepovskaia, Refugjate ukrainase
“Prindërit e mi qëndruan atje, vëllezërit, familja, në Zaporizhzhia dhe ne erdhëm këtu në Moldavi. Ata po bombardojnë atje, në Zaporizhzhian, ne kemi shtëpinë tonë atje, por Putin dëshiron të shkatërrojë digën e ujit dhe ne kemi frikë se ai mund të bombardojë gjithçka përreth, prandaj u larguam. Ka shumë kompani dhe industri në këtë fushë”, thaksoi Elizabeta Kuznitzova, Refugjate ukrainase
Por, nga OKB thonë se deri nesër numri i refugjatëve që kanë lëshuar Ukrainën do arrijë në 1,5 milion.
“Në fakt, mendoj se deri në mbrëmjen e sotme, më së voni nesër, numri i përgjithshëm i njerëzve që kanë dalë nga Ukraina do të arrijë në 1.5 milion. Aty ku ishim dje, afër 1.3 milionë, mendoj se Polonia dje pa vetëm në një ditë, njëqind mijë njerëz që kalonin. Kështu që po rritet në mënyrë të shpejtë”, tha Filippo Grandi, Komisioner për Refugjatë i OKB-së
Bashkimi Evropian ka rënë dakord në mënyrë unanime për të pranuar refugjatë ukrainas deri në tre vjet pa u kërkuar atyre që të aplikojnë për azil. /Alsat.mk








