Vijon kriza politike në Kosovë/ Për herë të 11-të nuk konstituohet Kuvendi

Vijon kriza politike në Kosovë/ Për herë të 11-të nuk konstituohet Kuvendi

Për të njëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Ligjbërësit refuzuan për të tretën herë rresht që ta formojnë një komision për votimin e fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës. Deputetë të partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë thonë se është jokushtetuese mënyra se si Lëvizja Vetëvendosje po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë.

“Në mungesë të besimit, në mungesë të numrave, në mungesë të shumicës për tu bërë vetë kryeministër Albin Kurti ai po luan me Albulena Haxhiun duke e mbajtur atë si kandidaten e cila nuk ka kaluar, nuk kaloi dhe as nuk do të kaloj në të ardhmen sepse e ka më të lehtë që të sakrifikoj atë sesa që të dal e të matet vetë pasi që e di se nuk i ka numrat”, deklaroi Memli Krasniqi, Kryetar i PDK-së.

Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj tha se zgjidhja është një kandidaturë unifikuese.

“Situata është kjo që është nuk besoj që ajo letër e ndryshon gjendjen. Kurti kish mundur të bëjë edhe veprime të tjera, në këtë rast nëse takohet me zotëri Abdixhikun me ra dakord për një kandidaturë unifikuese, ta kryejnë çështjen e kuvendit, konstituimin e kuvendit”, tha Ramush Haradinaj, Kryetar i AAK-së.

“Kosova duhet ta sheh një shumicë parlamentare e nëse partia e parë nuk e ka shumicën atëherë le të bëjnë të tjerët shumicën, ama një shumicë duhet me u bë dhe përgjegjësinë po e them e kanë tri partitë e mëdha për ta nxjerr vendin nga kriza”, u shpreh Fatmir Limaj, Kryetar i Nismës Socialdemokrate.

Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve. Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit. Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, por në gjashtë votime, kandidatja e saj, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t’i marrë votat e nevojshme, përkatësisht 61.

Partitë që po kundërshtojnë emrin e Haxhiut për kryeparlamentare i kanë kërkuar LVV-së të ndryshojë propozimin për postin, në mënyrë që procesi të zhbllokohet. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button