Viti i ri shkollor, shkollat në Tetovë ballafaqohen me mungesë të teksteve

Viti i ri shkollor, shkollat në Tetovë ballafaqohen me mungesë të teksteve

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Shkollat fillore në Tetovë kanë kryer parapërgatitjet për fillim të mbarë të vitit shkollor, sidomos për klasat e para dhe të katërta, por edhe klasat e dyta dhe të pesta të cilat, mësimin sivjet duhet ta fillojnë me sistem të reformuar arsimor, që në pjesë të madhe, nënkupton digjitalizimin e teksteve shkollore, dhe mësimi përmes smart tabelave dhe tabletëve. Drejtori i shkollës fillore “Istigball”, thotë se, përveç trajnimit të një pjese të arsimtarëve, është bërë edhe pajisja e klasave me ato që njihen si tabela të mençura, tabletë dhe projektor.

“Gjatë këtyre pushimeve kemi pasur disa trajnime të organizuara nga BZHA, konkretisht, edhe me 28-29 do jenë arsimtarët e klasave të pesta që trajnohen për digjitalizimin e teksteve shkollore, ku bën pjesë leximi dhe dëgjimi digjital. Si shkollë nga ministria e Arsimit jemi pajisur me tabela, dhe tableta për çdo nxënës, ndërsa arsimtarët e informatikës janë duke i pajisur nxënësit edhe me komplet programet e nevojshme dhe kodet që duhet tua përgatisin për çdo nxënës, dhe më një shtator jemi përgatitur që të fillojmë normal vitin shkollor”, u shpreh Rexhep Halili. Drejtor i SH F “Istigball”.

Problemi i vetëm, edhe sivjet mbetet mungesa e teksteve shkollore për disa lëndë. Për të njëjtat, nga Byroja për zhvillimin e arsimit thonë se janë përgatitur materiale të kopjuara që do përdoren për rreth dy muaj, deri sa të arrijnë tekstet e nevojshme shkollore nga Ministria e arsimit.

“Do të ketë materiale mësimore që ne i kemi përgatitur dhe jemi në përfundim të materialeve mësimore, dhe nga fillimi i vitit shkollor nxënësit do i keni përpara vetes materialet mësimore. Megjithatë janë të gjitha në kuadër të programeve të reja mësimore. Pjesa e librave që do mungojnë, kemi pjesë libri pra material mësimore për një kohë të caktuar për dy apo tre muajt e parë të fillimit të vitit, më pas besojmë se do jenë gati tekstet shkollore për të vazhduar viti shkollor më tej”, theksoi Ajshe Selmani, përgjegjëse e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit në Tetovë.

Ndryshe, kohë më parë, Ministria e Arsimit, vendosi për ndryshime në arsimin fillor, konkretisht digjitalizimin e disa lëndëve dhe teksteve shkollore, me çka, fillimisht këto reforma filluan në klasat e para dhe të katërta, të cilat mësonin lëndët përmes pajisjeve elektronike, ndërsa nga ky vit, sistemi i njëjtë me disa plotësime, do të fillojë edhe në klasat e dyta dhe të pesta, të cilat, një pjesë të lëndëve, do ti zhvillojnë në mënyrë digjitale./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button