Vizioni i presidentit Joe Biden për politikën e jashtme

Presidenti amerikan Joe Biden do të përcaktojë tonin e politikës së tij të jashtme gjatë fjalimit të parë madhor të enjten në Departamentin e Shtetit. Megjithëse komentet e tij mund të mos përshkruajnë hollësisht qasjen e re të Shteteve të Bashkuara ndaj kundërshtarëve si Kina, Koreja e Veriut, Rusia dhe Irani, zoti Biden pritet të paraqesë vizionin e tij për të intensifikuar bashkëpunimin me aleatët për t’u përballur me sfidat e përbashkëta globale.

Të mërkurën, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha gjatë një konferencë shtypi se zoti Biden do të flasë gjerësisht por nuk do të ofrojë hollësi konkrete mbi politikën e jashtme. Zonja Psaki tha se presidenti beson se Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëpunojnë ngushtë me aleatët lidhur me Kinën.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price i bëri jehonë këtij qëndrimi gjatë një konference për shtyp po të mërkurën. “Politika jonë nuk ka ndryshuar,” u tha zoti Price gazetarëve. Në përgjigje të një pyetjeje nga Zëri i Amerikës, Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Bliken u tha gazetarëve javën e kaluar se marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës është “pa dyshim më e rëndësishmja që kemi në botë”.

Kina
Fjalimi i zotit Biden të enjten vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë një qasje të re ndaj Kinës, ku zyrtarët thanë se Uashingtoni po ndjek një politikë të “përmbajtjes strategjike”.
“Ne e dimë që Kina është e angazhuar në një sërë veprimesh që dëmtojnë punonjësit amerikanë, pengon avantazhin tonë teknologjik, kërcënon aleancat tona dhe ndikimin në organizatat ndërkombëtare. Kina është gjithashtu e përfshirë në shkeljen e të drejtave të njeriut,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price këtë javë. “Prandaj ne do t’i kundërvihemi veprimeve agresive të Kinës, do të mbështesim përparësitë tona kryesore ushtarake, të mbrojmë vlerat demokratike, të investojmë në teknologji të përparuara dhe të rivendosim partneritetet tona jetike të sigurisë,” shtoi ai.

Rusia
Presidenti i ri amerikan ka folur në telefon me disa udhëheqës të huaj që nga marrja e detyrës, përfshirë aleatët tradicionalë të Shteteve të Bashkuara dhe Presidentin rus Vladimir Putin. Gjatë asaj telefonate, Shtëpia e Bardhë thotë se zoti Biden ngriti shqetësime në lidhje me arrestimin e figurës së opozitës Alexei Navalny, përfshirjen e Moskës në një fushatë masive spiunazhi kibernetik dhe ndërhyrjen në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara.
Por presidenti i ri u përpoq gjithashtu që të lërë hapësirë për diplomaci, duke rënë dakord për zgjatjen e afatit të traktatit të ri START, një marrëveshje historike të armëve bërthamore me Rusinë. Të mërkurën, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia njoftuan se kishin zgjatur afatin e traktatit për pesë vjet, duke vendosur masa kontrolli për armët midis dy arsenaleve më të mëdha strategjike bërthamore në botë.
“Ne e kemi të qartë se çfarë sfidash paraqet Rusia për Shtetet e Bashkuara dhe botën,” tha Sekretari i Shtetit, Blinken në një deklaratë. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara “do të punojnë për ta vënë Rusinë para përgjegjësisë për veprime agresive si edhe shkeljet e të drejtave të njeriut, në një bashkërendim të ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë.”/VOA

 

LEXO EDHE:

Back to top button