Vizita e Von der Leyen, nuk e zbuti qëndrimin e Mickoskit për votimin e ndryshimeve kushtetuese

Vizita e Von der Leyen, nuk e zbuti qëndrimin e Mickoskit për votimin e ndryshimeve kushtetuese

Gazetar: Lluka Andreev

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nga Shkupi shprehu besimin se do të formohet shumicë prej dy të tretash, e cila është e nevojshme për ndryshimet kushtetuese që do të mundësojnë hapjen e kllasterit të parë të negociatave për anëtarësim në BE. Ajo tha se në këtë drejtim duhet të gjenden argumente bindëse dhe kërkoi që të gjithë të kuptojnë se kanë përgjegjësi për të marrë pjesë, siç thotë ajo, në këtë proces që çon përpara. Nga ana tjetër, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, edhe sot e ka përsëritur qëndrimin e partisë.

“Nuk e di se në çfarë e bazon atë koment. Nëse mendojnë se VMRO-DPMNE-ja, grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, do t’i mbështesë këto ndryshime kushtetuese në këto kushte dhe këto rrethana, atëherë unë po them publikisht se kjo nuk do të ndodhë”, u shpreh Hristijan Mickoski – Kryetarë i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski para do kohe tha se do të mbështesë përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, nëse nga Brukseli vijnë garanci se nuk do të ketë veto të re dhe Maqedonia deri në vitin 2030 do të bëhet anëtare e Unionit me identitet të garantuar maqedonas. Nga BESA thonë se do të votojnë për ndryshimet kushtetuese, ndërsa qëndrimi i tyre për tema të tjera, si fshirja e formulimit 20 për qind, do të diskutohet nesër në mbledhjen e kryesisë së partisë.

Kryeministri Kovaçevski u bëri thirrje të gjitha partive të ulen në tryezë dhe të diskutojnë për amendamentet kushtetuese, ndërsa zëvendëskryeministri Mariçiq tha se iniciativa për ndryshime kushtetuese do të dorëzohet kur të krijohen kushtet, por jo këtë vit. Pritjet janë që ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve, por edhe të komuniteteve tjera në Kushtetutë, të përfundojnë deri në nëntor të vitit të ardhshëm, kur do të përfundojë skriningu dhe të hapej grupi i parë i negociatave. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button