VLEN / ASH-ja me lista të ndara në zgjedhje, Taravari: Të hapur për bashkëpunim

VLEN / ASH-ja me lista të ndara në zgjedhje, Taravari: Të hapur për bashkëpunim

Gazetare: Fatlume Dervishi

Kryesia e Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit vendosi një ditë më parë që kjo parti të garojë me lista të ndara të kandidatëve për këshilltarë komunash në zgjedhjet e ardhshme lokale. Sipas tyre, kjo nuk nënkupton shkëputje nga VLEN-i por se ata duan që kandidatët për kryetarë të komunave të zgjidhen përmes matjeve të rejtingut. Taravari tha se kjo nuk është arsye as për dalje nga qeveria.

“Listat do të jenë lista të Aleancës për Shqiptarët kurse kandidatët për kryetarë komunash, ne jemi munduar që ta imponojmë sondazhin dhe anketën, t’i përzgjedhim më të mirët të mundshëm me qëllim që të fitojë VLEN-i. Në qoftë se shkojmë katër liderët, katër kryetarët ose grupe të punës vendosin se kush çfarë merr dhe në cilën komunë, unë mendoj se kjo është humbje për komplet VLEN-in dhe për ne është e papranueshme. Për kryetar komunash jemi të hapur për bashkëpunim. Ne jemi pjesë e VLEN-it, do të shohim a mundemi të gjejmë zgjidhje aty. Në qoftë se jo, në bazë të lëvizjeve që ndodhin, ngjarjeve, dinamikave, zhvillimeve, ashtu edhe do t’i sjellim vendimet”, tha Arben Taravari, Aleanca për Shqiptarët.

Taravari nuk përjashtoi bashkëpunimin me BDI-në dhe as ribashkimin me Aleancën e Ziadin Selës duke thënë se shtëpia e tyre është e hapur dhe e madhe.

“Tashmë 90% e partisë është këtu. Vetëm 10% ka mbetur. Para dhjetë ditësh erdhi kryetari i Vrapçishtit. Unë thash se dyert tona janë të hapura dhe shtëpia jonë është e madhe. Kush do le të urdhërojë, është i mirëseardhur”, deklaroi Arben Taravari, Kretar i Aleancës për Shqiptarët.

Vendimi i ASH-së ngjalli reagime të shumta në rrjetet sociale. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button