Gazetare: Ajnur Bafqari
VLEN dhe Lëvizja Arbëria nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për zgjedhjet lokale. Izet Mexhiti tha se me këtë hap po dëshmohet se VLEN po zgjerohet, derisa të tjerët siç tha, kanë problem me emërimet.
“VLEN po dëshmon se po rritet, po zgjerohet, derisa të tjerët kanë problem me emërimet e tyre, ende nuk e dinë si quhen. Po përçahen e ne po unifikohemi dhe kjo është një porosi te qytetarët se VLEN është i hapur, është inkluziv, për të gjitha forcat progresive që duan progres në skenën politike shqiptare”, tha Izet Mexhiti, VLEN.
Bekim Fazliu, nga Lëvizja Arbëria tha se marrëveshjen për bashkëpunim me VLEN-in për zgjedhjet lokale, së bashku me mbështetësit e kanë parë si një domosdoshmëri të kohës. Ai nënvizoi se ky bashkëpunim ndërton një kulturë të re dhe larg hijeve të korrupsionit moral.

“Sidomos përfaqësuesit ndërkombëtarë të Aleatëve tanë që janë këtu në Maqedoni, me deklaratat e tyre për korrupsionin që ka hy në çdo pore dhe segment këtu në Maqedoni nga Qeveria e kaluar, dhe futja në listë te zezë të atyre që kanë qenë përgjegjës, na u bë e qartë se cilën rrugë duhet ta ndjekim”, u shpreh Bekim Fazliu, Lëvizja Arbëria.
Koalicioni VLEN, përveç kandidatëve të vet, në zgjedhjet lokale kanë paralajmëruar mbështetje edhe për kandidatin e pavarur në Strugë Mendi Qyrën. / Alsat.mk








