VLEN dhe VMRO do të udhëheqin Këshillin e Komunës së Tetovës
VLEN dhe VMRO do të udhëheqin Këshillin e Komunës së Tetovës
Gazetar: Bashkim Sulejmani
Deri të premten pritet të konstituohet Këshilli i Komunës së Tetovës. Partnerët e koalicionit qeveritar VLEN dhe VMRO thonë se e kanë shumicën prej 16 këshilltarëve, ndërsa nuk përjashtojnë mundësinë që kjo shumicë deri të premten të rritet
“Janë duke u harmonizuar të gjitha detajet që së shpejti të thirret edhe seanca konstituive e këshillit komunal, dhe ku pritet të zgjidhet kryetari i Këshillit si dhe organet e tjera të këshillit komunal. Së shpejti do informoheni. Janë pra duke u diskutuar gjitha mundësitë, ne kemi shumicë dhe presim që kjo shumicë të zgjerohet pra presim të gjitha të harmonizohen dhe në seancën konstituive presim që kjo shumicë të jetë edhe më e madhe”, tha Albi Qamili, VLEN.
Ka indikacione që të kaloj edhe ndonjë këshilltar kah shumica?
“Po ka edhe ashtu mundësi por këtë do ia lejmë kohës”
“Koalicioni VMRO – VLEN ka 16 këshilltarë, dhe pritet që javës së ardhshme të formohet edhe këshilli dhe të zgjidhet kryetari. Për disa ditë do zbuloni edhe kush do jetë kryetari i Këshillit”, u shpreh Angel Karapetrov, VMRO.
“Ndërkohë as nga këshilltarët e pozitës e as nga të opozitës, nuk bëjnë të ditur se kush do jetë kandidati për bartës të këshillit komunal të Tetovës”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.
Ligjërisht nga marrja e Mandateve nga ana e këshilltarëve, komuna e Tetovës, në afat prej 20 ditësh duhet të thirret seanca e parë konstituive e këshillit komunal, që nënkupton se, sipas afatit ligjor, komuna e Tetovës ka afat edhe 10 ditë për ta formuar këshillin e komunës.
Ndryshe, në këtë përbërje të këshillit komunal, Koalicioni Vlen ka fituar gjithsej 13 këshilltarë, 12 ka fituar koalicioni AKI, dhe tre VMRO, kurse nga një këshilltar, kanë fituar LSDM-ja, Levica dhe grupi i këshilltarëve të pavarur Më mirë për Tetovën. /Alsat.mk







