VLEN me padi kundër kreut të Konceptit Maqedonas – Bogojevski, do të përgjigjet me kundërpadi për përdorimin e gjuhës shqipe dhe flamurit shqiptar
VLEN me padi kundër kreut të Konceptit Maqedonas – Bogojevski, do të përgjigjet me kundërpadi për përdorimin e gjuhës shqipe dhe flamurit shqiptar

Gazetar: Mihaillo Donev
Koalicioni “VLEN” me padi penale kundër kreut të Konceptit Maqedonas, Petar Bogojevski. Thonë se Bogojevski përhapi gjuhë të urrejtjes në rrjetet sociale kundër shqiptarëve, prandaj i bënë thirrje prokurorisë që Bogojeski të ndiqet penalisht, shkruan Alsat.
Bujare Abazi tha se nuk është koha për të ngritur rejtingje politike me mesazhe të tilla.
“Unë mendoj se kjo nuk është më koha për të rritur rejtingun në një formë të tillë, dhe kjo patjetër që është në dobi të partisë tjetër BDI, e cila gjithashtu planifikon destabilizim në agjendën e saj, për këtë arsye ne duhet të përqendrohemi në standardin tonë, shëndetësinë tonë, arsimin tonë. Qytetarët janë të lodhur, patjetër duhet të kuptohet nga të gjithë politikanët, se ata mbajnë përgjegjësi dhe se ne duhet të japim rezultate në punën tonë, dhe të mos konsiderojmë se me disa deklarata të tilla dikush do të na mbështesë”, tha Bujare Abazi, koalicioni VLEN.
Nga ana tjetër, Bogojevski njoftoi se do të përgjigjet me kundërpadi.
Sipas tij, padia do të jetë siç u shpreh kundër përdorimit të gjuhës shqipe dhe flamurit në Maqedoni, si dhe për fyerje dhe denigrim të popullit maqedonas.
“Kjo është arsyeja pse sot po hapim një lëndë për procedimin e qindra autorëve nga shoqata shoviniste kriminale shqiptare. Ajo lëndë në Prokurorinë Publike do të plotësohet çdo ditë me prova të përditshme që i përjetojmë çdo ditë. Vetëm dje, mbi 15 raporte të kërcënimeve për jetë dhe fyerje ndaj Maqedonisë dhe popullit maqedonas u dorëzuan në Ministrinë e Brendshme. Rezultati përfundimtar i misionit dhe reformimit tonë do të jetë vendosja e rendit dhe rregullit në vend, sundimi i ligjit”, u shpreh Petar Bogojevski, Kryetar i Konceptit Maqedonas.
Lidhur me faktin se VLEN dhe Koncepti Maqedonas janë partnerë të koalicioni në Qeveri, Abazi tha se gjuha e urrejtjes e përhapur nga Bogojeski nuk duhet të ndërhyjë në planifikimin dhe realizimin e asaj që iu premtua qytetarëve, ndërsa Bogojeski tha se sjellja e VLEN-it kishte pasoja negative në partinë Koncepti Maqedonas. / Alsat.mk