NATO-ja e rrit sigurinë në bazën e vet ajrore në Gjermani
NATO-ja e rrit sigurinë në bazën e vet ajrore në Gjermani
Siguria në një bazë ajrore në perëndim të Gjermanisë është rritur, për shkak të një “kërcënimi të mundshëm”, tha Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).
NATO-ja tha se e ka urdhëruar të gjithë stafin jo esencial të kthehet në shtëpi si masë mbrojtëse.
Në bazën ajrore në afërsi të kufirit me Holandën, janë vendosur avionët e vëzhgimit të Sistemeve të Paralajmërimit dhe Kontrollit Ajror të NATO-s, të njohur si AUACS. Flota AUACS, nëpërmjet një postimi në rrjetin social X tha se “kemi rritur nivelin e sigurisë”, por pa shpjeguar natyrën e kërcënimit të mundshëm. Ajo tha se operacionet e saj “vazhdojnë sipas planit”.
Gjithashtu, vetura të policisë janë prezentë në bazën ajrore në Geilenkirhen. Prokurorët në Flensburg, në veri të Gjermanisë, thanë se po hetojnë dyshimet për spiunazh që ka për qëllim sabotimin.