VLEN premtoi, por asgjë nuk bëri për rihapjen e “rasteve të montuara”

Gazetar: Suad Bajrami

Derisa ishte në opozitë VLEN ishte i zëshëm dhe i etur për të sjellë drejtësi për rastet që në opinionin shqiptar ka pasur dyshim se janë të montuara, por dy vjet në qeveri nuk ka bërë asgjë. Nëse shfletojmë programin zgjedhor të VLEN-it, mund të shihet se kanë premtuar krijimin e një trupi të përkohshëm të ekspertëve perëndimorë nga vendet evropiane, që do të integrohen në këshillat prokurorial e gjyqësor të vendit me një mandat gjashtëvjeçar. Dy vjet më vonë, nuk ka asnjë gjurmë nga ky premtim.

Në fushatë, ky zotim u dha edhe nga Arben Taravari derisa ishte përfaqësues i lartë në VLEN. Në 12 vjetorin e rastit “Monstra” apo vrasjes së pesëfishtë në Smillkovë, në emër të VLEN-it premtoi zbardhjen e të gjitha rasteve.

“Me ardhjen e VLEN-it në pushtet të gjitha viktimat e montuara do të lirohen dhe do të dëmshpërblehen. Ndryshimi ka nisur dhe nuk ka të ndalur, drejtësia VLEN”, tha Arben Taravari në prill të vitit 2024 derisa ishte pjesë e VLEN.

Disa muaj pas kësaj deklarate edhe funksionari tjetër i lartë i VLEN-it, Bilall Kasami kishte premtuar. Megjithëse ai nuk garanton si Taravari se viktimat do të liron, por thotë se do t’u jepet një shans për të provuar pafajësinë.

“Ne mund të garantojmë që të ketë një qasje fer të kësaj, por ne nuk mund të flasim në këtë rast për vendimet e institucioneve të drejtësisë. Ne mund të flasim për një shans për t’u rishikuar edhe njëherë argumentet e të gjitha palëve dhe për të pasur një vendim fer për të gjitha rastet”, tha Bilall Kasami në tetor të vitit 2024.

Pavarësisht këtij premtimi, asnjëri nga rastet nuk u rihap për t’u shqyrtuar.

Por VLEN nuk ka premtuar rihapje të rasteve që kanë ndodhur në vitet e fundit. Në program ata premtojnë se do të hapin dosjet e ish shërbimit sekret jugosllav. Ata thonë se ky proces duhet të sjellë drejtësi për mijëra të përndjekur shqiptarë që kanë vuajtur në burgjet e komunizmit jugosllav, ndërsa viktimat ose familjet apo trashëgimtarët e tyre duhet të marrin mirënjohje dhe dëmshpërblim për burgun e padrejtë që kanë bërë.

Megjithëse gjysmën e mandatin e ka shpenzuar, VLEN as këtë premtim nuk e ka realizuar.

Ashtu siç nuk e ka realizuar premtimin tjetër në fushën e gjyqësorit, që do të bëjë veting për gjyqtarët e prokurorët. /Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button