VMRO dhe LSDM – Akuza të ndërsjella për huamarrjet
VMRO dhe LSDM - Akuza të ndërsjella për huamarrjet
Gazetar: Ile Petreski
Njoftimet për huamarrje të qeverisë në të ardhmen janë shkak për një tjetër korrespondencë mes opozitës dhe qeverisë, shkruan Alsat.
VMRO-DPMNE akuzon se vetëm për dy vjet Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, e futën në borxh shtetin me 1,6 miliardë euro të reja, ndërsa me huamarrjen e këtij viti që është planifikuar me ribalancimin e buxhetit, borxhi për tre vjet do të jetë 2,3 miliardë euro dhe do të arrijnë një kulm historik prej gati tetë miliardë eurosh.
Nënkryetarja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Dimitrieska-Koçoska, akuzon se huamarrja e re e qeverisë do ta gjunjëzojë Maqedoninë.
“Në vitin 2020 morën hua për të ndihmuar vendin në kushtet e krizës shëndetësore dhe ekonomike. A patën sukses? Jo. Ne jemi më të këqijtë për sa i përket luftimit të pandemisë në mbarë botën, dhe jemi më të këqijtë për sa i përket realizimit të ekonomisë. Pavarësisht humarrjes së lartë, nuk arriti ta stabilizonte ekonominë në vitin 2020, me rënien më të thellë që nga pavarësia në 6.1%, një rënie që ishte dy herë më e lartë se konflikti i brendshëm i vitit 2001 dhe më e thella në rajon. Në vitin 2021 kemi pasur rritje ekonomike prej vetëm 4%, që është arritja më e dobët në rajon”, tha Gordana Dimitrievsk.
Partia në pushtet LSDM, përmes një komunikate me shkrim, i është përgjigjur Koçoskës se VMRO-DPMNE nuk ka kredibilitet të flasë për huamarrje, sepse është e njëjta parti që 11 vjet i detyroi qytetarët të ndërtojnë monumente, fasada stiropori, të cilat po shemben, ta ndërtojë Pallatin e Bardhë luksoz, si qendër për përhapjen e lajmeve të rreme, për pasurimin e udhëheqjes së partisë në kurriz të varfërimit të qytetarëve.
“Në periudhën më të vështirë të pandemisë së Kovid 19, kur qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja përmes gjashtë paketave të masave me 1,1 miliardë euro i ndihmoi qytetarët dhe kompanitë, zëvendësministrja shtesë e Financave e VMRO DPMNE-së, Gordana Dimitrieska Koçovska, me muaj bllokoi një huamarrje nga Banka Botërore, të destinuara për investime në shëndetësi dhe asistencë për më të cenuarit. Koncepti i kthimit të parave tek qytetarët vazhdon edhe në kohë krize ekonomike globale. LSDM me pakon antikrizë prej 26 masash i ndihmon qytetarët, kategoritë më të cenueshme, pensionistët dhe kompanitë”, thonë nga LSDM.
Në terma absolutë, borxhi publik i Maqedonisë i kalon 7.1 miliardë euro./ Alsat.mk








