VMRO DPMNE-ja s’dëshiron të jetë në grupet e punës
Gazetar: Fatlume Dervishi
Opozita maqedonase nuk do të pranojë të marrë pjesë në grupet e punës me Bullgarinë. Sipas tyre, çështjet duhet të diskutohen në Kuvend. Përgjigja e tyre vjen pasi nga ekzekutivi thanë se opozita nuk përjashtohet nga procesi i negociatave, shkruan Alsat.
“Publikisht para mediave them se një ftesë të tillë deri te VMRO-DPMNE-ja nuk ka. Nëse marrim një ftesë të tillë nuk do të marrim pjesë vetëm për të qenë element dekorues për Qeverinë dhe t’i japim legjitimitet funksionimit të tyre të gabuar. Atje ku qeveria duhet të marrë pjesë dhe ku ne si opozitë vazhdimisht i ftojmë të marrin pjesë dhe të përgjigjen për pyetjet tona. Ai është Komisioni për punë të jashtme ku ministri Bujar Osmani i ik dhënies së përgjigjeve dhe nuk merr pjesë aty”, tha Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.
Alsat pyeti edhe Aleancën për Shqiptarët. Nga atje na thanë se deri tani nuk kanë pranuar një ftesë të tillë.
Ministri i Jashtëm Bujar Osmani në ditën e vizitës së kryeministrit bullgar Kirill Petkov në Shkup deklaroi se opozita mund të jetë pjesë e pesë grupeve të punës të cilat do të formohen për negociata me Bullgarinë. Sipas tij, në këtë çështje, duhet të tejkalohen interesat partiake.
“Unë jam i gatshëm që edhe në këtë qasje të re të këtyre grupeve, pse jo, të inkuadrohen edhe përfaqësues të opozitës, veçanërisht në pjesën që do të jetë ndërmjet dy parlamenteve të dy vendeve që edhe ata të japin kontributin e tyre, mendimin dhe vlerësimin e tyre në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre bisedimeve”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
Pushteti në Shkup gjithashtu mendon se çfarëdo marrëveshje mes dy vendeve nuk duhet të miratohet në Kuvend pasi tashmë është miratuar marrëveshja e vitit 2017 dhe rezoluta që dëshmon konsensusin nacional. Por është i gatshëm të heqë dorë nga ky vlerësim nëse opozita këmbëngul për këtë. Opozita kërkon që çfarëdo që arrihet mes dy vendeve, të vlerësohet edhe nga ligjvënësi. /Alsat.mk







