VMRO duhet të vendosë për Karposhin, BDI thotë se s’ka përçarje të votës në Kërçovë

Ndërsa afati për propozimin e kandidatëve për kryetarë komunash dhe listave të kandidatëve për këshilltarë po shkon drejt fundit, VMRO-DPMNE-ja akoma po zhvillon sondazhe për 5 komuna. Opozita nuk ka caktuar kandidatët për Strumicën, Manastirin, Aerodromin, Shuto Orizaren dhe Karposhin. Në Karposh partia e Hristijan Mickoskit mund ta mbështesë edhe për një mandat kryetarin e OQM-së Stevço Jakimovskin. Mickoski në një intervistë për 24Vesti deklaroi se për një vendim të tillë do të pritet mbledhja e  Komitetit Ekzekutiv e thirrur për ditën e mërkurë.

Jemi partnerë të koalicionit dhe jemi në bisedime serioze me të. Nuk negociojmë, por bisedojmë. Akoma jemi duke zhvilluar anketa. Të mërkurën kur është mbledhja e Komitetit Ekzekutiv do të njoftojmë për mënyrën se si do të veprojë në këto zgjedhje VMRO-DPMNE-ja në Karposh. Me OQM-në kishim takim që pa përfshi Karposhin, gjithkund tjetër të kemi kandidatë dhe lista të përbashkëta për këshilltarë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti vlerëson se kandidatura e Fatmir Dearit dhe Fatmir Limanit në Kërçovë nuk do të përçajë votën shqiptare. BDI ka zyrtarizuar emrat e kandidatëve për të gjitha komunat, përveç Dollnenit.

Për të vendosin qytetarët. Fatmir Deari është kandidat nga BDI kurse Fatmir Limani është i pavarur dhe vendosin qytetarët më 17 tetor. Për të ardhur deri tek vendimi që Deari të jetë kandidat edhe për një mandat janë bërë sondazhe dhe ka përkrahjen jashtëzakonisht të madhe nga qytetarët”, pohoi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ditëve në vijim LSDM-ja do të vendosë për komunat në të cilat nuk ka kandidat, përfshi Kërçovën, ndërsa opozita shqiptare ASH-AAA ditëve në vijim do të përcaktojë kandidatin për Sarajin dhe Studeniçanin. Afati përfundimtar për dorëzimin e kandidaturave dhe listave për këshilltarë është 11 shtatori.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button