VMRO-ja me akuza të reja për zv.kryeministrin Grubi, reagon BDI: VMRO-ja është organizatë kriminale

VMRO-ja me akuza të reja për zv.kryeministrin Grubi, reagon BDI: VMRO-ja është organizatë kriminale

Gazetar: Adrian Kerimi

VMRO-DPMNE-ja ka vazhduar me akuzat sipas tyre korruptive ndaj zyrtarëve të BDI-së dhe njerëzve të afërt me zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi. Deputeti Mile Lefkov pretendon se drejtoresha e Byrosë së Metrologjisë, Merita Mustafai nga radhët e BDI-së ka ndërtuar vilë luksoze në Kodrën e Diellit në Tetovë dhe e njëjta nuk figuron në listat anketuese as të saj dhe as të bashkëshortit.

“Kjo është vila e familjes Mustafai në Kodrën e Diellit, familje e cila i ka mundësuar njeriut të afërt me Grubin të fiton akreditimin për kontrollin e pistoletave të distributorit të naftës nëpër pikat e karburanteve. Kjo është lista anketuese e burrit të Merita Mustafait. Kjo është lista e vetë Merita Mustafait e cila nuk e ka paraqitur si pasuri vilën në Kodrën e Diellit. Vila ka filluar të ndërtohet në vitin 2020 pra një vit para se Ermir Imami të themelon kompaninë “Metrolab”, ndërsa ndërtimi i vilës ka përfunduar në gusht të vitit 2021”, tha Mile Lefkov, Deputet i VMRO-DPMNE-së.

BDI ka reaguar përmes një komunikate ku hedhin poshtë të gjitha pretendimet e opozitës maqedonase. Ish partneri disa vjeçar i VMRO-DPMNE-së në pushtet sot këtë subjekt e cilëson organizatë kriminale dhe subjekt i cili po e bllokon dhe mban peng të ardhmen e vendit.

“VMRO DPMNE e Hristijan Mickoskit është organizatë kriminale e vërtetuar nga gjykata, por edhe pa këtë, nuk ka qytetar në vendin tonë që nuk e di, edhe anëtarët e VMRO DPMNE-së e dinë se korrupsioni dhe krimi i organizuar në vendin tonë është shpikur dhe perfeksionuar nga VMRO DPMNE. Djali i graduar nga babai i tij në fakultet, Hristijan Mickoski, partner ideologjik i Dodikut, Janshës, Orbanit dhe Apasiev-it, dhe hidrobiznesmen politik, bashkëpunëtor me ish zëvendësit e tij dhe elementet anti-NATO dhe anti-BE në shoqërinë tonë, nuk ka kredibilitet, as mbështetje për të folur e akuzuar për korrupsion, as për të ardhmen e vendit tonë që po e mbah peng dhe po e bllokon”, thonë nga BDI.

E kontaktuar nga Alsat për akuzat drejtuar asaj dhe familjes, drejtoresha e Byrosë së Metrologjisë, Merita Mustafai tha shkurt se qëndron prapa qëndrimit partiak./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button