VMRO-ja shton listën e “pronave të fshehta”, publikohen edhe 5 nga gjithsej 123 emra

VMRO-ja shton listën e “pronave të fshehta”, publikohen edhe 5 nga gjithsej 123 emra

Gazetare: Fatlume Dervishi

Pesë emra të rinj publikohen nga VMRO-DPMNE-ja të funksionarëve, ose, siç thonë ata, personave të afërt me LSDM-në dhe pushtetin, të cilët nuk kanë paraqitur pronën e tyre në Komisionin kundër korrupsionit. Në publikimin e të dhënave të të ashtuquajturës aferës “pronat e fshehta” nga VMRO-DPMNE-ja përmendën emrin e Ana Marija Paviqit, Sasho Maksimovskit, Tedi Conevskit, Gajur Rushitit, Tashko Dojçinovit dhe Vasko Stefanovit. Partia opozitare kërkon që kryeministri të ndërmarrë masa.

“Pronat e fshehta”, akuza nga VMRO-DPMNE
• Ana Marija Paviq – anëtare në bordin drejtues të Qendrës për pranimin e alizantëve,
• Sasho Maksimovski, kryetar i komitetit për miratimin e investimeve të “Fitr” dhe drejtues sektori në Qeveri,
• Tedi Conevski, anëtar i komitetit për miratimin e investimeve në “Fitr”,
• Gajur Rushiti, drejtor i Inspektoratit të Transportit,
• Tashko Dojçinov, avokat i shtetit për degën e Gjevgjelisë,
• Vasko Stefanov, drejtor i Postës

“Presim që Kovaçevski, në vend që t’i mbrojë, të kërkojë përgjigje nga Antikorrupsioni për të gjithë funksionarët që nuk kanë dorëzuar listën e pronave dhe t’i shkarkojë ato. Vetëm ashtu do të dëshmojë se ky nuk është veprim sistematik i pushtetit për të fshehur pronat. Nëse Kovaçevski nuk e bën këtë, vetëm do të dëshmojë se edhe ai është pjesë e procesit për fshehjen e pronave dhe ndoshta edhe ai fsheh pronë”, u shpreh Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.

Një ditë më parë opozita maqedonase publikoi katër emra të tjerë. Dy prej tyre kanë hedhur poshtë akuzat si të pavërteta kurse njëri ka pranuar se merr një shumë të vogël, për të cilën thotë se është i gatshëm të mbajë përgjegjësi.

“Nuk ka nevojë të dorëzoj listë anketuese në Antikorrupsion sepse nuk jam funksionar kurse në Fondin e Holokaustit kam punuar vullnetarisht pa kompensim në para”, deklaroi Albert Musliu, përfaqësues në Fondin e Holokaustit.

“Lista anketuese është dorëzuar në kohë për çka i publikoj edhe dërgesat me postë deri në Antikorrupsion”, tha Valentin Gruevski, drejtor i Pyjeve të Maqedonisë.

“Bëhet fjalë për bord drejtues ku kompensimi mujor është 1 000 denarë. Nëse Antikorrupsioni vlerëson se ka qenë e nevojshme të dorëzohet fletë anketuese dhe duhet të ketë sanksion, do ta pranoj”, u shpreh Ivica Jevtiq, Qendra pranuese për kërkuesit e azilit.

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit ka deklaruar se do të hetojë informacionet e opozitës por se ligji aktual i mundëson të hulumtojë vetëm listat anketuese të pronës së funksionarëve që i dorëzojnë ato. Ky institucion kërkon ndryshime ligjore, gjegjësisht miratimin e ligjit për prejardhjen e pronës që të ketë qasje të plotë në hulumtimin e elementeve eventuale korruptive të pronave të të gjithë qytetarëve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button