VMRO: Legalisht e respektojmë Marrëveshjen e Prespës

VMRO-DPMNE-ja juridikisht e respekton Marrëveshjen e Prespës, thonë nga partia opozitare një ditë pasi Presidenti amerikan Xho Bajden firmosi dekretin që është në dëm të atyre që punojnë kundër saj, dhe marrëveshjeve të ngjashme në Ballkan. E mira në dekretin e administratës së Bajdenit, sipas Antonio Milloshovskit, është angazhimi për të penalizuar edhe të gjithë ata që janë të përfshirë në korrupsion.

 “VMRO-DPMNE-ja nuk mori pjesë në përgatitjen e Marrëveshjes së Prespës dhe as në zbatimin e tij por ne jemi legalistë dhe vetëm këtë mënyrë do ta respektojmë si raport ndaj kësaj marrëveshjeje. Veçanërisht e rëndësishme është që të respektohet vullneti i popullit. Me kënaqësi themi se aty vendoset theksi edhe në luftën ndaj korrupsionit, si fenomen që i rrezikon jo vetëm marrëveshjet por edhe të drejtat e njeriut, ekonominë dhe sigurinë kombëtare të vendeve, të partnerëve dhe të vetë rajonit. Prandaj ftojmë që administrata në Uashington të merret me familjen në pushtet.”- deklaroi Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.

“E Majta” nuk ka ndryshuar qëndrim dhe kryetari i saj Dimitar Apasiev vullnetarisht kërkoi nga SHBA-të ta përfshinë në listë të zezë, sepse nuk do të njohë as Marrëveshjen e Prespës dhe as Marrëveshjen e Ohrit.

 “E Majta”

“Marrëveshjet e këtilla si ajo Kornizë, e Prespës dhe e Bullgarisë, nxisin jostabilitetin rajonal, dhe jo e kundërta. Përvoja ndër vite ka treguar se Marrëveshja e Ohrit është vetëm mjet për kënaqjen e interesave të ngushta partiake të BDI-së, e cila 20 vite është në pushtet. Të përkushtuar në traditë majtiste deri në fund, “E Majta” do të vazhdojë t’u kundërvihet të gjithë politikave dhe marrëveshjeve të dëmshme të cilat janë kundër interesave nacionale, të vendosura që nga KAÇKM.”

Pushteti thotë se administrata e Bajdenit konfirmoi mbështetjen për përpjekjet që bëhen për stabilitetin në rajon.

Presidenti i SHBA-së Xho Bajden ka lëshuar një dekret për ngrirjen e pronave dhe ndalesë për hyrje në SHBA të atyre që punojnë kundër Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe që minojnë paqen dhe bashkëpunimin rajonal. Urdhri ekzekutiv i referohet minimit të traktateve dhe institucioneve të pasluftës pas prishjes së ish RSFJ-së por përfshin edhe Republikën e Shqipërisë. Ai i referohet edhe korrupsionit të përhapur në qeveritë dhe institucionet në Ballkanin Perëndimor, i cili pengon progresin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë të rajonit në institucionet euro-atlantike, që janë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA.

Në mesin e personave “non grata” për SHBA-në nga vendi vazhdojnë të jenë: Menduh Thaçi, Nuri Bexheti, Xhevat Ademi, Abdyl Jashari, Gafur Adili, Nevzat Halili, Xhavit Hasani, Kastriot Haxhirexha, Xhemajl Hyseni, Daut Rexhepi dhe Xhezair Shaqiri.

Fatlumne Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button